Gazetari Fatos Mahmutaj tregon si u plagos më 21 Janar dhe si u vra Hekuran Deda ngjitur me të

Shqipëria

Gazetari Fatos Mahmutaj tregon si u plagos më 21 Janar dhe si u vra Hekuran Deda ngjitur me të

Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:39
Fatos Mahmutaj

Fatos Mahmutaj mbeti i plagosur pas të shtënave me armë në protestën e opozitës së drejtuar nga Edi Rama në 21 janar 2011.

Gazetari kujton momentin kur u plagos: “Kisha afër meje të ndjerin Hekuran Deda. Kokat tona ishin 2-3 cm larg njëra tjetrës. Mua plumbi më kapi në dorë, te dora që mbaja telefonin në vesh sepse isha në raportim ‘live’ dhe më dogji te qafa, shpoi jakën e xhupit. Ndërsa plumbi i radhës kapi Hekuran Dedën. Koka e tij ishte 2-3 centimetra larg nga veshi im kur e kapi plumbi. Ndoshta ishte i njëjti plumb ose plumbi i radhës, nuk e di.

Unë ndodhesha në platformën që kolegët e Top Channel kishin vendosur për të raportuar protestën. Në atë moment ishte braktisur nga gazetarët e tjerë, isha vetëm unë dhe rreth 20 persona, të cilët për kuriozitetin e tyre bënin video me celular, ishin thjesht kureshtarë”.

Ai tregon se të shtënat erdhën nga dy drejtime: “Nga hyrja e bodrumit të kryeministrisë që më pas mora vesh që ishte pozicionuar Agim Llupo dhe nga tarraca e kryeministrisë, që më pas kuptova që ishte shefi i sigurisë i kryeministrit të kohës, që qëllonte me pistoletën e Ndrea Prendit.

U qëllua aty se dendësia e njerëzve të ishte jashtëzakonisht e madhe. Këmbët e mia ishin pak jashtë platforme dhe isha mbështetur te protestuesit e tjerë. Njëri prej tyre ishte Hekuran Deda. Para këmbëve tona, poshtë platformës u plagosën tre persona. Diku aty afër ishte Aleks Nikaj. Në perimetrin 3-4 metra rreth nesh ishte numri më i lartë i viktimave dhe të plagosurve”.

Mahmutaj shprehet pesimist për zbardhjen e çështjes dhe dënimit të fajtorëve të 21 janarit. “Nga përvoja si gazetar i gjyqësorit e dija që kjo çështje kështu do të përfundonte. Kjo çështje nuk ka nevojë për t’u zbardhur sepse është zbardhur.Janë publikuar autorët e vrasjeve me video. Duhet thjesht që drejtësia të jepte verdiktin e saj. Drejtësia nuk ka dhënë verdikt asnjëherë. Ka dhënë disa vendime qesharake. Është turpi i radhës i drejtësisë.

Erdhi puna që në 21 janar të bëhet show i radhës dhe kaq. Me këtë lloj sistemi dhe këta gjykatës do të mbetet kështu, homazhe çdo 21 janar dhe kaq”, thotë gazetari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat