Jetojnë në kontenier se tërmeti iu prishi shtëpinë/ Djali i familjes: Shokët më tallin se jam i varfër e pa shtëpi!

Shqipëria

Jetojnë në kontenier se tërmeti iu prishi shtëpinë/ Djali i familjes: Shokët më tallin se jam i varfër e pa shtëpi!

Më: 22 janar 2021 Në ora: 20:59
Djali 9- vjeçar

Në Fiks Fare mbërriti një denoncim i veçantë nga një djalë 9- vjeçar i cili ankohej se tallej nga shokët e tij të shkollës, pasi ishte i varfër dhe pa shtëpi.

Në të vërtet historia ishte edhe më e dhimbshme. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 ua kishte shkatërruar shtëpinë në Jubë të Durrësit dhe që prej një viti familja Llyçi jetonin në një kontenier dhe në një barake. Bashkia asokohe ua kishte vlerësuar DS 2 dëmin dhe u kishte akorduar një fond prej 2, 5 milion lekësh të vjetra.

Fiks Fare pa nga afër gjendjen e kësaj familje me 6 persona, ku tre prej te cilëve ishin fëmijë minorenë. Shtëpinë grupi i parë i ekspertëve ua kishte nxjerrë të pabanueshme dhe Edison Llyçi kryefamiljari shprehet se të jatit të tij Palit, që tashmë nuk jeton më ia kishin vlerësuar DS 4. ” Babai i cili është larguar nga jeta para 3 javësh, kishte shkuar në njësinë administrative dhe ka firmosur letrat, por me idenë për DS4. Pas disa ditësh unë lexoj letrat dhe shoh që kishte firmosur për dëm DS2 dhe me përfitim 2. 5 milion lekë të vjetra” shprehet Edisoni” po ju e shihni situatën çfarë të bëj unë me 2.5 milion të vjetra si ta rregulloj këtë shtëpi kur në fakt me kaq lekë as çatia nuk rregullohet”.

Ai tregon se ka trokitur në shumë dyer dhe nuk ka gjetur zgjidhje kështu me ato të ardhura bënë një barake ku flinin prindërit e tij, kurse ai me bashkëshorten dhe tre fëmijët flenë në një kontenier që ua ka dhuruar Karitasi. Pas vdekjes së të atit i biri i tij që bëri edhe denoncimin në Fiks Fare ishte zhvendosur nga kontenieri dhe flinte në baraken plot lagështi bashkë me gjyshen.

Kushtet ishin të mjerueshme të familjes Llyçi dhe kësaj i shtohej edhe papunësia e kryefamiljarit dhe sëmundjet e të shoqes dhe të fëmijëve.
Fiksi iu drejtua Njësisë Administrative Sukth ku kryetari i kësaj njësie i takoi personalisht dhe shpjegoi se vlerësimi i dëmeve është bërë nga disa grupe. Edhe pse grupi i parë që ishin përfaqësues nga Kosova dhe Sllovenia e kishte nxjerrë shtëpinë e pabanueshme DS4, grupi i dytë me inxhinier nga Bashkia Durrës e kishte vlerësuar dëmin në DS2.

Dhe vlerësimi i grupit të dytë ishte marrë për bazë dhe më pas ishte bërë edhe dëmshpërblimi për familjen. Por nuk iu përgjigj dot pyetjes së Edisonit kur i tha se i ati nuk ishtë vënë në dijeni se për çfarë po firmoste, pasi ai kishte firmosur për DS4 ndërkohë që në letra shkruhej DS2. Kryetari shpjegon se në njësi nuk kanë dokumentacion për ekspertizën e parë që ëdhtë bërë nga kosovarët dhe sllovenët, por që Edisoni duhet t’i drejtohej me një kërkesë për ekspërtizë të re të shtëpisë zyrës së Rindërtimit në Bashkinë Durrës.

Edison Llyçi bashkë me gazetaren e Fiksit iu drejtuan Bashkisë Durrës, ku zëdhënësi i saj shpjegoi se vlerësimi është bërë nga inxhinierë dhe nuk mund të fliste në lidhje me këtë, pasi çdo inxhinier që ka hedhur firmën mban përgjegjësi ligjore. Ai shpjegoi ankuesin se me dokumentat që zotëron të bëj një ankesë drejtuar Institutit të Ndërtimit për një rivlerësim të banesës, pasi vetëm ky institucion ka të drejtën për ta bërë. Në bazë të ekspertizës se re do vazhdohet edhe më tej për dëmshperblimin.

Edison  falenderoi Fiks Fare, pasi kishte një vit që sorollatej nëpër zyrat e shtetit dhe nuk kishte mundur të merrte një pergjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat