“Do më nxjerrin edhe shok me Eskobarin”: Veliaj reagon pas përgjimeve të Ndragheta-s

Shqipëria

“Do më nxjerrin edhe shok me Eskobarin”: Veliaj reagon pas përgjimeve të Ndragheta-s

Më: 23 janar 2021 Në ora: 13:51
Erion Veliaj

Përgjimet e Antimafias italiane kanë nxjerrë në pah pazaret që personazhe të krimit në shtetin fqinj bëjnë për të fituar leje ndërtimi në Tiranë. Në materialet e siguruara nga Ora News thuhet se sipërmarrësit italianë nën hetim flasin për kontakte të afërta me kryetarin e bashkisë së Tiranës, si dhe për faktin se mund të investojnë në ndërtimin e gradaçeleva shumëkatëshe që shiten deri në 3 mijë euro metri katror, duke ofruar si ryshfet 20 për qind të vlerës.

Antimafia e Katanzaros në Itali ka goditur tri ditë më parë një grup mafioz në Itali ndërsa përgjimet telefonike të personave në hetim kanë zbardhur ryshfetet që përfaqësuesit e klaneve kriminale kanë dhënë për të përfituar leje ndërtimi në Tiranë.

Operacioni, i cili dërgoi në pranga edhe shtatë shqiptarë, ka nxjerrë në pah edhe implikimin e një ish-polici italian, i cili merr përsipër të ndërhyjë për përfitimin e lejeve të ndërtimit dhe koncesioneve në Shqipëri përmes lidhjeve që thotë se ka në disa ministri dhe në administratën shtetërore në Tiranë.

Ish-nëntenenti i Guardia di Finanza Italiane që kishte lidhje në Shqipëri është arrestuar ndërsa janë nën hetim disa politikanë kalabrezë me interesa sipërmarrje në Shqipëri si dhe një europarlamentar.

Përgjimet kanë zbuluar aferën e invetimeve për ndërtimin e një grataçele shumëkatëshe në Tiranë me kusht pagesën e 20% të kuotës për të fituar lejen.

Sot, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë për përgjimet e “Ndraghetas” në Itali. Nga Sinaballaj në Rrogozhinë, Veliaj komentoi shkurt duke thënë “se nuk çuditet edhe nëse do ta bënin shok edhe me Eskobarin”.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira. Do dalin që kemi qenë shokë në çerdhe me Eskobarin. Do dalin lloj-lloj çudirash. Përca dhe sundo ka qenë strategjia e Saliut. I funksionoi në vitet ‘90”, tha Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat