I thuri këngë Erdoganit, rrëfehet mjeshtri i polifonisë: Unë kam lindur për të bërë bëma

Shqipëria

I thuri këngë Erdoganit, rrëfehet mjeshtri i polifonisë: Unë kam lindur për të bërë bëma

Më: 24 janar 2021 Në ora: 09:29
Guri Rrokaj

Një këngë polifonike me elozhe për Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan do të ngjallte jo pak reagime. Autori i saj është 66-vjeçari nga Mallakastra, Guri Rrokaj, ndër të paktë këngëtarë të iso-polifonisë, i dekoruar nga Presidenti 3 muaj më parë. 

"Jam nga Aranitasi nga fshati me 5 gjeneralë, i 6 jam unë. I kam kënduar dëshmorëve heronjve gjeneralëve dhe kapedanëve. ndërsa grupi është një grup i vogël ushtarak dhe janë pro meje", thotë Rrokaj.

Në një intervistë për Report Tv, Rrokaj tregon si i lindi ideja për këtë këngë.

"Sa e bëra tekstin ua lexova dhe e miratuan. Se unë kam lindur për të bërë bëma. Se unë me këtë këngë dua të mbetem në histori. Duke u nisur nga mbështetja e madhe që i ka dhënë Turqia Shqipërisë edhe kur ka qenë e rrezikuar nga shtete të tjera dhe për t'i lënë një gjurmë këtij drejtuesi të madh", tha më tej ai.

Për ironi të fatit, grupi i polifonisë mban emrin e princit Gjergj Araniti, që luftoi kundër osmanëve.

"Vaso Pasho Shkodrani ka thënë feja e shqiptarit është shqiptaria. E kanë trajtuar me idenë se na ka pushtuar Turqia, por unë s'merrem me të vjetrën se jam njeri i moderuar jetojmë në demokraci. Jam fisnik dhe këngën e kam në gjak dhe do këndoj për këtë të dua unë, vetëm për tradhtarët jo", shprehet këngëtari i këngëve labe.

Me vargjet për Erdoganin, Guri Rrokaj kërkon të mbetet në histori. Ndërsa për kritikët që nuk kanë qenë të paktë në rrjetet sociale ka këtë përgjigje:

" Kam shkaktuar një termet, le ta harrojmë pandeminë populli shqiptar të merret me këtë. dhe u bëj thirrje të më shajnë sa më shumë, ata që s'bëjnë dot këtë që bëj unë të shajnë sa më shumë", thotë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat