Shirat e dendur mbulojnë të gjithë vendin, zonat që rrezikojnë përmbutje

Shqipëria

Shirat e dendur mbulojnë të gjithë vendin, zonat që rrezikojnë përmbutje

Më: 24 janar 2021 Në ora: 19:50
Ilustrim

Sipas llogaritjeve të IGJEUM, që nga dita e sotme e deri më 26 janar priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe në jug të territorit.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe lumin Vjosa. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël, të shoqëruara edhe me rrëshqitje të dherave, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve, por parashikohen me rrezik më të ulët nga përmbytjet.

Sot pasdite dhe nesër priten reshje intensive në qarqet Shkodër dhe Gjirokastër, por lokalisht shumë intensive në qarkun Shkodër. Ndërsa në pjesën tjetër të qarqeve priten reshje mesatare, por lokalisht intensive në Kukës, Lezhë, Berat, Korçë dhe Vlorë. Reshjet pritet të jenë të shoqëruara dhe me shtrëngata.

Në veri dhe verilindje të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë edhe në formë dëbore në lartësitë më të mëdha se 500 metra mbi nivelin e detit.

Nesër (e diel) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 8 / 13 °C,

në vendet e ulëta: 6 / 14 °C,

në vendet malore: 0 / 7 °C.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat