Shqipëri-BE: Kryenegociatori i integrimit, Zef Mazi, raporton për ecurinë e procesit

Shqipëria

Shqipëri-BE: Kryenegociatori i integrimit, Zef Mazi, raporton për ecurinë e procesit

Më: 25 janar 2021 Në ora: 18:25
Zef Mazi

Në Tiranë, Këshilli Kombëtar i Integrimit diskutoi sot mbi ecurinë e procesit integrues në Bashkimin Europian.

Kryenegociatori i Shqipërisë për Integrimin Europian, ambasadori Zef Mazi, deklaroi se “Shqipëria i përmbushi kërkesat kryesore mbi reformën zgjedhore dhe atë gjyqësore, duke bërë funksionale gjithë institucionet e reja në këto dy fusha”.

Sipas tij, hapi i radhës i takon BE-së dhe synimi është që Konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbahet në qershor.

Kryenegociatori Zef Mazi tha sot para Komisionit Kombëtar të Integrimit se së shpejti pritet një vlerësim tjetër i Komisionit Europian dhe Konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri - BE synohet të mbahet në qershor.

Ai theksoi se “në dhjetor komisioneri i zgjerimit Oliver Varheli tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe është fakt se tani topi është në fushën e BE-së”.

Reforma gjyqësore dhe zgjedhore janë në qendër të vëmendjes të opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, për drejtësi dhe zgjedhje të besueshme, dhe të dyja reformat, sipas tij kanë përparuar dukshëm, si kushte për hapjen e negociatave.

Marrëveshja e 5 qershorit qeveri - opozitë për reformën zgjedhore përmbushi një kërkesë, ndërsa emërimet e tjera në institucionet e reja të drejtësisë përmbushën të tera kërkesa për negociatat.

Zoti Mazi theksoi se metodologjia e re në negociata është më rigoroze do duhet zbatimi i të gjitha kërkesave të Këshillit Europian.

Ngjarjet e vështira të vitit 2020 ndikuan ndjeshëm në ecurinë e procesit të zgjerimit të BE-së, që Shqipëria priste si vend kandidat.

Pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian shënon një nga ngjarjet më të mëdha qysh pas Luftës së Dytë Botërore dhe për ta arritur këtë, tha ambasadori Mazi duhet të punojë në mënyrë harmonike së bashku gjithë faktorët përgjegjës.

Konferenca e parë ndërqeveritare për integrimin u shty dhe një datë e afërt pritet për të zyrtarizuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas vlerësimeve pozitive që u dhanë nga Komisioni Europian mbi ecurinë e të dy vendeve.

Kryenegociatori Mazi u pyet sot për ecurinë e reformës zgjedhore, reformimin e sistemit të drejtësisë dhe goditjen e kriminalitetit dhe korrupsionit si kushte për hapjen e negociatave me një konferencë të përbashkët ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Mbi 95 për qind e qytetarëve mbështesin proceset integruese të vendit, madje shumica e qytetarëve janë të bindur se ato do të jenë në dobi të vendit në radhë të parë.

Diplomatët europianë besojnë se pas plotësimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera gjyqësore Shqipëria ka kaluar një nga reformat më të vështira ndaj BE në muajt e ardhshëm do të japë një përgjigje pozitive dhe gjatë presidencës portugeze të këtij 6mujori pritet përparim drejt nisjes së negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat