Rama, presion ndaj SPAK për indiciet që vijnë nga Anti-mafia: Nuk ka pse flet drejtësia këtu

Shqipëria

Rama, presion ndaj SPAK për indiciet që vijnë nga Anti-mafia: Nuk ka pse flet drejtësia këtu

Më: 26 janar 2021 Në ora: 12:34
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ashtu siç dukej nga fushata e Rilindjes, që i parapriu deklaratave të tij të para për çështjen e përgjimit të Ndragheta nga anti-mafia italiane, ka marrë vendimin që këtë çështje ta mbyllë.

Pavarësisht se çfarë po heton prokuroria italiane përtej detit, një pjesë e përgjimeve flasin për atë që po ndodh në Shqipëri. Vetë prokurori italian i çështjes deklaroi për mediet vendase, se ka nevojë për hetim më të thelluar nga drejtësia shqiptare. Edhe drejtuesi i SPAK, Kraja, deklaroi në TCH se do ta ndjekin çështjen. Por për Edi Ramën ajo është mbyllur, me konkluzionet në Itali.

"Nuk do të them për këtë duhet të flasë drejtësia. Sepse në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion ekipi italian. Dhe po ua lexoj për të thënë pse është turp për të gjithë ju që në vend që të merreni me fakte, bëni dezinformim”, deklaroi ai sot duke i paradhënë një verdikt SPAK dhe bërë presion të hapur.

Mes të arrestuarve nga anti-mafia ka edhe shqiptarë për të cilët duhet të ketë një hetim, edhe në vendin tonë. Nga ana tjetër çështja e pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimeve sidomos në Tiranë, nuk doli për herë të parë nga ky përgjim.

Janë të shumta institucionet ndërkombëtare që kanë ngritur “flamujt e kuq” për këtë çështje, duke dhënë edhe fakte konkrete si ai se 60% e biznesmenëve që kanë fituar lejet e ndërtimit në kryeqytet, nuk kanë pasur financat e mjaftueshme për të përfunduar projektet.

Ku i gjetën më pas financat që shkojnë në qindra milion euro, ndërkohë që me sy të lirë shihet se kullat po mbijnë gjithandej?!

Sipas Edi Ramës, drejtësia, SPAK nuk duhet të hetojë pasi kjo çështje është mbyllur me konkluzionet e prokurorisë, anti-mafia, për përgjimin në fjalë.

Ai vetë ja dha verdiktin për këtë patate të nxehtë që tejkalon përgjimet italiane. Tani të presim se çfarë do të bëjë SPAK, ku i kanë sytë dhe shpresën e fundit shumica e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat