U plagos nga snajperi në Siri, Floresha Rasha operohet në spitalin e Traumës

Shqipëria

U plagos nga snajperi në Siri, Floresha Rasha operohet në spitalin e Traumës

Më: 26 janar 2021 Në ora: 19:00
Floresha Rasha

Floresha Rasha shqiptarja e parë që u nxor nga kampet e Sirisë, për tu riatdhesuar në Shqipëri fundvitin e shkuar është operuar me sukses në spitalin e Traumës.

Një burim nga ky spital i tha Top Channel, se Floresha Rasha iu nënshtrua një operacioni të gjatë, disa orësh për të korrigjuar dëmtimet në këmbë paraditen të hënës.

Mjekët pohuan se operacioni ka përfunduar me sukses dhe më pas asaj do t’i duhet t’i nënshtrohet disa seancave fizioterapie. Gjatë kthimit nga Bejruti në Tiranë në intervistën e saj për Top Channel ajo tregoi se ishte plagosur në këmbë nga një snajper.

Po ashtu Floresha Rasha tregoi se vajza e saj mbeti e vrarë nga bombardimet.

Floresha Rasha u ngjit në avion përmes një karroce invalidi pasi e kishte të pamundur ecjen si pasojë e plagosjes. Kushtet në të cilat ajo ndodhej në kampin Al Hol si pasojë e plagosjes e nevojës për një operacion kirurgjikal të specializuar bënë që autoritetet kurde të lejonin që ajo të kthehej në Shqipëri bashkë me tre fëmijët e saj.

Nxjerrja e saj nga kampet e Sirisë bashkë me tre fëmijët e saj, dy vajza e një djalë, përfshi edhe Endri Dumanin u bë e mundur falë një operacioni të komplikuar 5 javor në terren më 27 Tetor 2020.

Burime nga Ministria e Brendshme i thanë Top Channel se riatdhesimi i gjithë pjesës së mbetur të grave dhe fëmijëve në Siri është një prej prioriteteve të ministrit të ri të punëve të brendshme Bledi Çuçi.

Sakaq autoritetet ligjzbatuese shqiptare janë në kontakt me forcat e inteligjencës së Libanit për të realizuar një operacion të dytë humanitar të sjelljes së shqiptarëve nga kampet e Sirisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara disa ditë më parë lëshoi alarmin për kushtet e përkeqësuara të sigurisë në kampin Al Hol ku gjatë dy javë të së fundit janë vrarë 12 persona.

Në këtë kamp qëndrojnë 62.000 persona 80% gra dhe fëmijë. Kampi Al Hol është në administrimin e kurdëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat