700 mijë shqiptarë pa dokument identifikimi, drejtori i Gjendjes Civile: Kemi thjeshtuar procedurat, aplikoni

Shqipëria

700 mijë shqiptarë pa dokument identifikimi, drejtori i Gjendjes Civile: Kemi thjeshtuar procedurat, aplikoni

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:41
Bledar Doracaj

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj tha në një intervistë për Euronews Albania se 700 mijë shqiptarë nuk do ketë dokument biometrik deri më 25 prill, ku pritet të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme,

Teksa iu bëri thirrje veçanërisht shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë për dokumentin e ri biometrik, z. Doracaj u shpreh se procedurat janë lehtësuar shumë, ndaj aplikuesve u duhen vetëm pak minuta për të dorëzuar dokumentin e vjetër të identifikimin.

“Kemi lehtësuar procedurën e aplikimit, janë diku te 4 mijë shqiptarë që kanë aplikuar në e-Albania, që janë pak.

Në një periudhë 2-vjeçare qeveria për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që u kishte skaduar karta e identitetit e ka shtyrë dy herë këtë proces, një herë gjatë zgjedhjeve të 2019 dhe një herë gjatë pandemisë. Ne po përpiqemi të sensibilizojmë shqiptarët që jetojnë jashtë që të rinovojnë duke dorëzuar vetëm letërnjoftimin e vjetër biometrik”, shpjegoi z. Doracaj.

Ndërkohë në një lidhje ‘live’, përfaqësuesi i Shoqatës Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Bledar Milaqi përcolli shqetësimin e mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të cilët siç tha, kërkojnë zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së mjeteve të tyre të identifikimit me qëllim që të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Shqetësimi kryesor i shqiptarëve jashtë vendit janë afatet e vonuara nga selitë diplomatike ku mund të kryejnë rinovimet, pasi janë jashtë afatit zgjedhor. Kjo i pengon ata të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Ne kemi vënë në dijeni KQZ dhe i jemi drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Shqetësimi ynë ka të bëjë me afatin e konfirmimit të adresave. Kjo e pengon votën dhe kërkesën pranë KQZ, e cila ka vënë si parakusht regjistrimin e adresës së vendbanimit jashtë Shqipërisë si kusht për të votuar”, u shpreh z. Milaqi.

Nga ana e tij, kreu i Gjendjes Civile e siguroi z. Milaqi se brenda javës që vjen kushdo që ka depozituar kërkesën në e-Albania do të marrë një përgjigje, teka i lidhi vonesat e aplikimit në njësitë diplomatike për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, me situatën e pandemisë ku masat e marra për distancimin social kanë shtuar edhe radhët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat