Komisionet Zgjedhore nisën punën, PD ankesa për kushtet: Nuk ka asnjë masë këtu anti-Covid

Shqipëria

Komisionet Zgjedhore nisën punën, PD ankesa për kushtet: Nuk ka asnjë masë këtu anti-Covid

Më: 27 janar 2021 Në ora: 14:34
PD

Ndryshe nga 30 qershori, kur komisionerët ishin një ngjyrësh, vetëm të Partisë Socialiste, zgjedhjet e 25 prillit i kanë bërë të gjitha palët bashkë.

Në Muzeun Kombëtar ditën e sotme u konstituua KZAZ-ja 39, ku morën pjesë komisionerë të PS, PD, LSI dhe të PSD-së së Tom Doshit.

“Këtu keni vulën e KQZ-së dhe procesverbalet. Kjo është KZAZ me numër tek dhe kryetari i takon Partisë Demokratike”, tha Ylli Merkaj, Sekretar i Përgjithshëm i KQZ-së.

Por që në mbledhjen e parë, komisionerët e Partisë Demokratike shprehën ankesa për mungesë të kushteve të domosdoshme.

“Nuk ka asnjë masë këtu anti-covid. Duam që kur dikush të hyjë këtu të dezinfektohet. Nuk kam hallin e gjobës, kam hallin e shëndetit tim”,- tha komisioneri i PD.

“Do të merren të gjitha masat për pajisjet mbrojtëse ndaj Covid”,- tha Merkaj i KQZ.

Por komisionerët vijuan pakënaqësitë. “Kjo është tallje me procesin zgjedhor. Ne duam zyrë, ngrohje, ambiente. Këto nuk janë zgjedhje të parakohshme që ju gjetën të papërgatitur”-shtuan më tej komisionerët demokratë.

Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së u shpreh se këto janë ambientet më të mira për një proces zgjedhor dhe kështu kanë qenë gjithmonë.

Pavarësisht këtyre debateve, komisionerët morën në dorëzim materialet. Në mbarë vendin do të funksionojnë 92 KZAZ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat