Praktika për studentët e mjekësisë, rektori Arben Gjata: Të përdoren edhe spitalet rajonale

Shqipëria

Praktika për studentët e mjekësisë, rektori Arben Gjata: Të përdoren edhe spitalet rajonale

Më: 27 janar 2021 Në ora: 20:14
Arben Gjata

Për praktikën e studentëve të mjekësisë rektorati i këtij universiteti ka propozuar që për të shmangur qëndrimin në konvikte të të rinjve, duhet të shfrytëzohen edhe spitalet rajonale.

Gjithashtu rektorati propozon që të rikthehet procesi i konkurrimit për të pranuar studentët në mjekësi.  

Fakulteti i mjekësisë është një nga më të prekurit si pasojë e zhvillimit të mësimit online, ku studentët janë privuar nga kryerja e praktikës.

Ky nuk është vetëm një shqetësim për studentët por edhe për pedagogët dhe rektoratin e këtij universiteti.

Rektori Arben Gjata thotë se kanë propozuar që studentët e rretheve të kryejnë praktikën në spitalet rajonale, në mënyrë që të shmangin qëndrimin në konvikte.

“Kemi propozuar që të organizohen me grupe të vogla dhe deri tek praktika në rrethet ku banojnë studentët.”

Ndërsa lidhur me sezonin e provimeve ai thotë se po mendohet që të shtyhet në një momentin të dytë kur gjendja pandemike të jetë më e qetë.

Për të bërë një përzgjedhje më të drejtë për maturantët që kërkojnë degët e mjekësisë, Gjata ka propozuar që të rikthehet konkurrimi.

“Bashkë më ministrinë e Shëndetësisë kemi menduar që të shpërndaheshin një sërë pyetjesh dhe të bëhej një formë konkurrimi pranimi i informatizuar.”

Prej kohësh studentët kanë kërkuar rikthimin në auditorë të paktën për orët e praktikës mësimore.

Së fundi ata kanë dorëzuar një peticion me rreth 8000 firma për hapjen e auditorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat