Një rrugë në Tiranë merr emrin e aktorit Agim Qirjaqi, Veliaj: Nderojmë figurat më të çmuara të qytetit

Shqipëria

Një rrugë në Tiranë merr emrin e aktorit Agim Qirjaqi, Veliaj: Nderojmë figurat më të çmuara të qytetit

Më: 28 janar 2021 Në ora: 10:41
Erion Veliaj dhe Agim Qirjaqi

Agim Qirjaqi, aktori i dashur i dhjetëra roleve në kinematografi dhe teatër, i cili u nda nga jeta 11 vite më parë, është nderuar me emrin e një rruge në Tiranë. Tabela me emrin e tij iu dorëzua simbolikisht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vëllait të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur, Maks Qirjaqi, në prani edhe të regjisorit Kujtim Çashku.

Kryebashkiaku Veliaj tha se shembulli i qytetit të Tiranës, për të përkujtuar artistë me kontribute të jashtëzakonshme, të cilët kanë lënë shenjë dhe kanë frymëzuar shoqërinë shqiptare, duhet të ndiqet edhe nga institucione të tjera.

“Ambicja jonë, si qytet, është të përkujtojmë figurat e çmuara të vendit e ndoshta, emërtimi i rrugës “Agim Qirjaqi” do të frymëzojë edhe institucione të tjera sepse ka ardhur koha që ai të shpallet “Nderi i Kombit”. Duhet t’i përkujtojmë më shumë ata që kanë lënë gjurmë. Agim Qirjaqi ka lënë shenjë në këtë qytet, është nder për ne që një nga rrugët e Tiranës të mbajë emrin e tij. Është koha që fëmijët, teksa ecin rrugëve, të lexojnë emrat e njerëzve frymëzues, ndërsa prindërit të kenë mundësi t’u tregojnë se cili është aktori i famshëm, një qytetar i dobishëm i kombit tonë, që ka frymëzuar breza,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se Bashkia e Tiranës do të ketë në vëmendje dhe do t’i përkujtojë artistët e mëdhenj.

Vëllai i aktorit dhe regjisorit të njohur, Maks Qirjaqi, tha se ndihet i vlerësuar që Agimi nderohet nga Bashkia e Tiranës, teksa një rrugë e kryeqytetit do të marrë emrin e tij. “Ju falënderoj shumë, që 11 vjet pas ndarjes së Agimit nga jeta, bashkia e nderon me këtë ceremoni. Të tjerët nuk u kujtuan, por ai e ka triumfin dhe vlerën e tij atje ku është,” u shpreh ai.

Rruga që do të marrë emrin e të madhit Agim Qirjaqi ndodhet në kufirin midis Tiranës dhe Yzberishtit, një lagje e re e kryeqytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat