Studentët kundër provimeve online, paralajmërojnë protesta dhe bojkot

Shqipëria

Studentët kundër provimeve online, paralajmërojnë protesta dhe bojkot

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

Mijëra të rinj që po kërkojnë prej javësh hapjen e auditorëve kanë dalë edhe kundër zhvillimit të provimeve online.

“Situata mes studentëve po vlon dhe janë hapur diskutime për të bojkotuar mësimin online, për të bojkotuar provimet, për të zhvilluar protesta, pra situata çdo ditë e më shumë po nxehet”, thotë një prej studentëve që ka dorëzuar peticionin për hapjen e auditorëve në Ministrinë e Arsimit, Agred Tafaj, duke parashtruar edhe arsyet përse janë kundër.

“Zhvillimi i provimeve online është tepër problematik, pasi siç shohim, jo të gjitha universitetet kanë mundësinë e zhvillimeve të provimeve online. Universitetet që kërkojnë skicime, planimetri e të tjera, si mund t’i zhvillojnë këto provime? Kishte dalë dhe një rregullore, me sa pashë, që ende nuk është miratuar, ku thuhej që do të zhvillohen provimet online. Këto më shumë më duken si manovra politike për të matur dhe testuar pulsin e studentëve dhe për të parë si do veprojmë”.

Sipas tij, universitetet i kanë të gjitha mundësitë për t’i zhvilluar provimet në klasa, por Ministria e Arsimit nuk po bën asnjë përpjekje për këtë.

“Komiteti i Ekspertëve është organi përgjegjës që merr vendime, por vendos mbi bazën e një propozimi nga Ministria e Arsimit. Pra, po presin që Ministria të çojë përpara propozimin te Komiteti i Ekspertëve dhe të thotë që auditorët kanë kapacitete për të zhvilluar seminaret, praktikat dhe laboratorët në auditorë”.

Por teksa Komiteti i Ekspertëve ia hedh topin Ministrisë së Arsimit, kjo e fundit ia pason sërish asaj. Në përgjigjen zyrtare drejtuar studentëve, duke kërkuar më shumë kohë për vendimmarrje, citohet se “Komiteti është duke punuar dhe analizuar të gjithë të dhënat në vend, duke u bazuar në modelet e vendeve të tjera europiane. Në ditët në vijim do t’ju bëjmë me dije qëndrimin zyrtar mbi këtë çështje”.

Edhe sot, e hënë 1 shkurt, komiteti teknik tha se do jetë java tjetër ajo kur do merret vendimi se si do lejohet zhvillimi i provimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat