Manastirliu gënjeu për numrin e respiratorëve. Dogana: MSH bleu vetëm 35 copë

Shqipëria

Manastirliu gënjeu për numrin e respiratorëve. Dogana: MSH bleu vetëm 35 copë

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 18:10
Ogerta Manastirliu

Ministria e Shëndetësisë nuk bën transparencë se sa është numri total i respiratorëve të blerë dhe dhuruar gjate pandemisë. Ministrja Ogerta Manastirliu ka deklaruar se vendi ynë shtoi rreth 307 respiratorë, por të dhënat tregojnë se ky numër është më i vogël nga sa deklarohet.

Gjatë pandemisë Ministria e Shëndetësisë ka blerë vetëm 35 respiratorë jashtë vendit, ndërkohë që në vitin 2020 ka pasur një bum respiratorësh të blerë nga qytetarë të ndryshëm apo kompani farmaceutike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e renditi Shqipërinë të fundit në rajon lidhur me buxhetin e dhënë për Pandeminë Covid-19 me vetëm 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë nga ana tjetër, kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë deklaruar shpesh se kanë shtuar buxhetin për shëndetësinë duke fuqizuar kapacitetet shëndetësore.

Që në nisje të pandemisë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaronte se do të shtoheshin respiratorët në spitalet ku trajtoheshin të sëmurët me Covid, pasi vendi kishte vetëm 200 respiratorë. Në 18 dhjetor të vitit të kaluar, Ministrja e Shëndetësisë mbajti një ceremoni zyrtare për blerjen e 44 respiratorëve për spitalet covid, ndërsa deklaronte se në 10 muaj ishte shtuar gjithsej rreth 307 respiratorë, pra nga 200 respiratorë që kishim në muajin mars, u bën 507 respiratorë në muajin dhjetor.

Mirëpo për të vërtetuar këto shifra dhe për të parë nëse ky premtim është mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë, Syri Televizion i kërkoi zyrtarisht me një shkresë këtij institucioni të dhënat për blerjen e respiratorëve, kostot financiare, kompanitë që u shpallën fituese, etj.

Kërkesa për informacion Ministrisë së Shëndetësisë në fillim të muajit dhjetor, por rreth dy muaj më pas ky institucion ka refuzuar të kthejë përgjigje e për pasojë të bëjë transparencë edhe pas masave administrative të marra nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Por Syri TV nuk u ndal kwtu dhe pwrmes njw kërkese zyrtare iu drejtuam dhe Drejtorisë së Doganave në vend, për të mësuar se sa aparate respiratore janë futur në Shqipëri gjatë muajve të pandemisë. Ndryshe nga Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Doganave u përgjigj duke na vënë në dispozicion numrin e respiratorëve që janë zhdoganuar gjatë muajve të pandemisë.

Në total janë futur 3283 aparate respirimi në vendin tonë, kryesisht nga kompani farmaceutike, persona fizik por edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Për këtë të fundit janë zhdoganuar vetëm 35 respiratorë, pra që nënkupton se Ministria e Shëndetësisë ka blerë vetëm 35 respiratorë nga jashtë vendit gjatë pandemisë. Ndërkohë, në mungesë të transparencës direkte nga vetë Ministria e Shëndetësisë, Syri Televizion ka mbledhur të dhënat për të bërë një përllogaritje të numrit të respiratorëve që i janë shtuar sistemit shëndetësor në vendin tonë.

Siç u përmend më sipër, në 18 dhjetor Ogerta Manastirliu ka deklaruar se Shqipëria ka 507 respiratorë nga 200 që kishte në fillim të pandemisë. Në 22 tetor, pra dy muaj para se të bënte këtë deklaratë, Ministrja e Shëndetëisë mori pjesë në një ceremoni ku NATO dhuronte 60 respiratorë, duke u bërë kështu donatori më i madh i dhurimit të respiratorëve. Në këtë ditë, pra në 22 tetor Ogerta Manastirliu deklaronte se Shqipëria kishte shtuar 173 respiratorë të rinj që prej nisjes së pandemisë, ndërsa vijonte se deri në fund të vitit do të shtoheshin dhe 44 respiratorë të rinj, ceremonia e të cilëve u mbajt në 18 dhjetor.

Por nëse do ti mbledhim shifrat e deklaruara në 22 tetor, pra numrin 173 respiratorë që ishin shtuar deri në atë ditë dhe 44 respiratorë që do të shtoheshin deri në fund të vitit shkojnë 217 respiratorë, pra janë në total 97 respiratorë më pak se sa Ministrja Ogerta Manastirliu ka deklaruar në datën 18 dhjetor.

Ndërkohë, të dhënat e publikuara në media deri më tani, raportojnë se në total vendi ynë ka përfituar rreth 111 respiratorë të dhuruar, nga NATO, Ambasada e SHBA, Bashkimi Europian, ish deputeti i PD Agron Shehaj si dhe biznese private në vend. Ndërkohë një tjetër e dhënë zyrtare, që ngre pikëpyetje për shifrat e deklaruara nga Ministria e Shëndetësisë, me shifrat reale, është Relacioni i Buxhetit të Shtetit për vitin 2021, i përgatitur nga Ministria e Financave.

Në këtë relacion, Ministria e Financave deklaron se nga buxheti i shtetit janë blerë në total 134 respiratorë gjatë pandemisë dhe nëse i shtojmë edhe 111 të dhuruar, numri shkon rreth 245 respiratorë, pra përsëri nurmi nuk përputhet me deklaratat zyrtare të Minisres së Shëndetësisë. Kujtomë këtu se tenderat për blerjen e respiratorëve dhe pajisjeve mjekësore gjatë pandemisë në shumicën e rasteve kanë qenë sekret, ndërkohë që çmimi i tregut për një respirator shkon nga 5 deri në 20 mijë euro. Nisur nga kjo, ngrihen disa pikëpyetje; a ka realisht Shqipëria sot 507 respiratorë siç Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar?

Pse nuk bëhen transparente shifrat për blerjen e respiratorëve? Kush janë kompanitë që Ministria e Shëndetësisë u ka blerë respiratorët? Sa ka qenë çmimi për respirator? Sa ka qenë fondi për blerjen e respiratorëve? Në cilët spitale janë shpërndarë këto respiratorë? A janë funksional këto aparatura për qytetarët? Këto pyetje do të duhet të marrin përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që fakti është se gjatë pandemisë në vendin tonë ka pasur bum të futjes së respiratorëve, të paktën siç deklarojnë të dhënat nga drejtoria e doganave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat