Balluku inspekton segmentin Lezhë-Shëngjin: Nisim së shpejti punën për ndriçimin e plotë të rrugës

Shqipëria

Balluku inspekton segmentin Lezhë-Shëngjin: Nisim së shpejti punën për ndriçimin e plotë të rrugës

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 20:08
Belinda Balluku

Masat e marra më herët si dhe gatishmëria në terren e grupeve të punës garantuan që pavarësisht kapriçove të motit, akset rrugore kombëtare të ishin të kalueshme, ndërsa në zonat ku u evidentuan problematika ndërhyrja në kohë solli përmirësimin e situatës brenda një kohe të shkurtër, duke mos krijuar pengesa për qarkullimin e automjeteve. Segmenti rrugor, Lezhë-Shëngjin, është një ndër segmentet i cili ka qenë në fokus të kompanisë kontraktore të mirëmbajtjes gjatë gjithë këtyre ditëve me reshje intensive shiu, për shkak të problematikës së njohur të rrëshqitjeve të gurëve dhe dherave.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, dhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ndoqën nga afër masat e marra për të garantuar lëvizshmërinë në këtë segment, teksa njoftuan edhe investimin e ri që pritet të nisë shumë shpejt në këtë segment.

Drejtori i ARRSH bëri të ditur se ndërhyrja e parashikuar synon eliminimin e problematikës së rrëshqitjeve të gurëve në këtë segment, si dhe rehabilitimin e sistemit të ndriçimit.

“Ky është një aks shumë i rëndësishëm. Në vitin 2018 u bë një projekt për pjesën e rënies së gurëve dhe janë bërë rrjetat mbrojtëse në 350 metra linear. Ky projekt do të zhvillohet më tej këtë vit për të vazhduar edhe me 250 metra të tjera, të cilat do të konkludonin në mbrojtjen dhe sigurinë rrugore të përdoruesve të rrugës. Me kërkesë të bashkisë Lezhë ne kemi aksesuar në projekt dhe pjesën e ndriçimit duke vendosur pjesën e ndriçimit led, si dhe riparimin e të gjithë shtyllave të dëmtuara”, u shpreh Verdho.

Kryebashkiaku Ndreu shprehu falënderime për këtë investim pasi ky segment ka një fluks të shtruar të lëvizjes së automjeteve gjatë sezonit veror. “Ju falënderoj për angazhimin që keni marrë për ndriçimin, i cili është problemi më i madh që kemi në këtë zonë. Vijnë shumë turistë dhe këtu është terr. Plus pastaj zgjatja e barrierave të mbajtjes së gurëve, siç e shikoni dhe vetë terreni është shumë i thyer dhe në rastet e reshjeve rreziku bëhet më i madh. Na krijon siguri më shumë, normalisht edhe turistë më shumë”, tha Ndreu.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se ndërhyrja e parashikuar në segmentin Lezhë-Shëngjin i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare e cila lidhet me rrëshqitjen e gurëve në këtë segment, ndërsa rehabilitimi i sistemit të ndriçimit vjen edhe si kërkesë e bashkisë së Lezhë.

Balluku u ndal më tej, tek menaxhimi i situatës gjatë ditëve të motit të rënduar me reshje ku u bë e mundur minimizimi dhe reagimi në kohë ndaj çdo problematike që u shfaq, jo vetëm në rrjetin rrugor, por edhe në sistemin energjetik.

“Puna e kryer nga të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes në Republikën e Shqipërisë, mbikëqyrur nga stafet e ARRSH-së kudo në të gjithë vendin, ka qenë një punë që duhet përgëzuar. Kemi pasur problematika, por nuk kemi pasur rrugë të bllokuara, nuk kemi pasur aksidente rrugore të nxitura nga kushtet e motit, apo të rrugës dhe sigurisht çfarë është e rëndësishme, gjithçka është menaxhuar menjëherë në çdo moment. Ky ishte një test i madh për ne dhe ndryshe nga kohët e tjera, sot menaxhohen dhe rrjetet rrugore edhe hidrovoret, madje edhe energjia elektrike”, nënvizoi Balluku.

Krahas ndërhyrjes së parashikuar në segmentin Lezhë-Shëngjin, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur një tjetër projekt i cili prek këtë zonë.

“Kemi dhe plane të shumta këtu. Jemi duke parë sistemimin e portit për ta kthyer një pjesë të tij në një port turistik të mirëfilltë, pasi zona e Shëngjinit tashmë është një zonë me zhvillim të madh turistik dhe kemi një prurje jo vetëm të vizitorëve nga Shqipëria, por dhe nga Kosova dhe treva të tjera. Në planet tona nuk janë thjesht mirëmbajtjet, që na duhet të bëjmë si në këto ditë të vështira, por edhe çdo ditë, por edhe plane të tjera zhvillimi të cilat do t’i jepnin edhe qytetit të Lezhës, por edhe zonës bregdetare përreth, vlerën e duhur për t’u vizituar gjithmonë e më shumë nga turistë”, deklaroi Balluku.

Grupet e punës, jo vetëm të mirëmbajtjes së akseve rrugore, por edhe ato të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, vijojnë të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment në rast problematikash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat