Në fillim e quajti ”MEME” ofertën e Ambasadës Ruse për vaksinën, si ndryshoi qëndrimi i Ramës

Shqipëria

Në fillim e quajti ”MEME” ofertën e Ambasadës Ruse për vaksinën, si ndryshoi qëndrimi i Ramës

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 14:17
Putin dhe Rama

Kur vaksina ruse rezulton të jetë efektive sa Pfizer, shumë vende që e refuzuan dhe paragjykuan, janë detyruar të kafshojnë gjuhën në situatën kur ”Sputnik V” ka efikasitet dhe kur Rusia ofron ndihmën e saj për të furnizuar këdo që e dëshiron. Hungaria dhe Serbia janë vendet në Evropë që e kanë pranuar vaksinën. Hungaria vendi i parë i BE që ka hedhur hapa konkretë drejt Lindjes, siç komentohet në Bruksel.

Lajmi se vaksina ruse rezultoi me një efektshmëri prej 91.6% në testimin e parë masiv të 20 mijë vullnetarëve, vjen në një kohë kur shifrat e furnizimit në Shqipëri janë mjerane. Me 2 mijë doza gjithsej, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë dështuar me procesin e mbrojtjes së popullsisë nëpërmjet vaksinimit.

Fillimisht, Rusia u kritikua për mungesë transparence dhe për aplikimin e parakohshëm të Sputnik V në popullsi. Injektimi i vaksinave nisi 6 muaj më parë, para se të kryheshin testimet masive. Por revista shkencore Lancet raportoi se rezultatet dolën të ngjashme me prodhimet e kompanive Moderna dhe BioNTech/Pfizer.

Image

Ndërkohë televizioni gjerman MDR, i cituar nga Deutche Welle zbuloi mundësinë e prodhimit të “Sputnik V” në Gjermani. Zhvilluesi i vaksinës ruse ka kontaktuar prodhuesin farmaceutik IDT Biologika në landin federal Saksoni-Anhalt, në kërkim të një partneri bashkëpunimi për prodhimin e mundshëm të vaksinave. Mundësia e bashkëpunimit mes zhvilluesit rus të vaksinës dhe kompanisë gjermane është përcjellë në një raportim të televizionit gjerman, ku nuk janë politikanët që japin gjykime nëse ky është një vendim i mirë apo i keq, por profesorë të kimisë farmaceutike.

“Fakti që ka bashkëpunime midis prodhuesve të vaksinave nuk është asgjë e pazakontë dhe zakonisht duhet të vlerësohet si shumë pozitive”, i tha Jens Meiler MDR. Ai është profesor i kimisë farmaceutike në Spitalin Universitar Leipzig. “Prodhimi i vaksinave shpesh bëhet me burime të jashtme, ka firma që specializohen për këtë” tha Meiler” raporton Deutche Welle.

Kur njihesh me mundësinë që Gjermania t’i hapë rrugë prodhimit të vaksinës ruse, nuk ka se si të mos kujtohet ironia, me të cilën iu mbyll dera këtij opsioni në vendin tonë, pavarësisht mungesës së vaksinave.

Historia nisi me një retweet të drejtorit të komunikimit në kryeministri, Endri Fuga, i cili komentonte në profilin e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen me shpresën se BE do ta korrigjonte vendimin për ta lënë Ballkanin Perëndimor pa vaksina.

Mesazhi i Fugës u shfrytëzua nga ambasada ruse për të bërë ofertën e saj për furnizimin e Shqipërisë me vaksina.

I nderuar z. Endri Fuga,
Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera.

Por oferta ruse u refuzua pa mëdyshje nga Rama gjatë një konference për shtyp me gazetarët në ditët e fundit të dhjetorit.

“Kam menduar që ka qenë një meme, ajo që pashë që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter Drejtorit të Komunikimit (Endri Fugës), retweet të shefes së Komisionit Europian. Për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla dhe kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është provokim qesharak dhe nuk është mirë që një vend serioz si Rusia të bëhet qesharake përmes këtyre lloj postimeve dhe një ambasadë si ajo ruse, që është një ambasadë e rëndësishme të sillet sikur është një seksion i Portokallisë, apo një konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhje për këtë sepse nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve”, u shpreh Rama.

Fill pas këtij komunikimi, që u konsiderua një provokim nga pala shqiptare ndodhi edhe shpallja non grata e një diplomati rus, i cili sipas Ministrisë tonë të  Jashtme nuk respektonte rregullat e pandemisë dhe për të cilin ishin dhënë disa ankesa në ambasadën ruse. Kjo e fundit mohoi të kishte marrë ankesa dhe dërgoi një notë proteste, ku mes të tjerash u ankua për publikimin e emrit të diplomatit.

Ka kaluar 1 muaj nga refuzimi i Sputnik V dhe Shqipëria ende nuk ka mundur të sigurojë më shumë se 2 mijë doza, një shifër qesharake, që është shoqëruar po ashtu me një proces vaksinimi që shpesh është konsideruar një farsë. Ndërkohë numri i vdekjeve dhe infeksioni nga covid-19 është në rritje. I pyetur nga gazetarët për vendimin për të refuzuar kategorikisht ofertën e vaksinës ruse, Rama e la të hapur mundësinë për t’u furnizuar me to, nëse edhe BE ndryshon qëndrim.

“Përsa i përket vaksinave lindore, ruse apo kineze asnjë paragjykim për aspektet shkencore, respekt për shkencëtarët, por zgjedhja jonë është të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Nëse BE do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe ruse, ne do të rishikojmë qasjen. Për sa kohë BE është e mbyllur ndaj këtyre vaksinave, ne jemi në krah të tyre. Së pari, impakti i vaksinës nuk është kaq i menjëhershëm sa të numërosh jetët fatkeqësisht të humbura dje. Së dyti, vaksinat lindore nuk janë gati sa hap e mbyll sytë. Nuk është se janë aty te dera dhe ne ia kemi mbyllur derën. Së treti, vaksinat perëndimore i kemi zgjedhur sepse jemi pjesë e familjes evropiane, pa lojëra me dy porta. Së katërti, ne jemi në kushtet ku po e zbatojmë planin tonë. Vonesa e krijuar nuk ka lidhje me ne dhe nuk do të jetë kronike”.

Ndërkohë politika e BE me vaksinën dhe zhgënjimi që ka ngjallur në Ballkanin Perëndimor është trajtuar në një shkrim të Financial Times.

Duke sjellë shembullin e Serbisë, Financial Times e ka konsideruar një vend që lundron shpesh mes Moskës, Pekinit dhe Brukselit, por që mund të jetë i pari në Europë që mund të arrijë imunitetin e tufës përmes vaksinimit. Qeveria e Beogradit ka siguruar mbi 1 milion doza deri më tani, pjesën më të madhe nga Sinofarm e Kinës dhe Sputnik V e Rusisë.

“Kjo strategji ka joshur edhe Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut e deri Kosovën, që nuk kanë marrë akoma një dozë të vetme”, sipas “Financial Times”, por edhe Malin e Zi: “Pavarësisht se BE ka garantuar 70 milionë euro për 6 vendet aspirante të Ballkanit për të blerë vaksina, problemet e prokurimit në Europë nënkuptojnë që 4 prej tyre duhet ende të presin marrjen e ndonjë doze, disa muaj pasi vaksinimi ka nisur në disa shtete të tjera. Të frustruar, disa po shikojnë tani nga lindja, në Rusi dhe Kinë, për të siguruar furnizime të vogla”.

Kjo mund të dëmtojë besueshmërinë e BE-së në rajon, sipas disa zyrtarëve të cituar në artikull. Ata mendojnë se Moska dhe Pekini mund ta përdorin këtë situatë për të treguar se në kohë të vështira, Perëndimi dështon të ofrojë ndihmë. I vetmi vend i rajonit, i cili nuk i është futur kësaj rruge, mbetet Shqipëria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat