Basha: Vendimet e para që do të firmos si kryeministër, çfarë ndodh nëse humbas në 25 prill

Shqipëria

Basha: Vendimet e para që do të firmos si kryeministër, çfarë ndodh nëse humbas në 25 prill

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 15:55
Lulzim Basha

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zbuluar vendimet e para që do të firmosë ditën që do të futet në zyrën e kryeministrit. Në një intervistë dhënë gazetarit të ABC Juxhin Mustafaraj, Basha u shpreh se do të jenë një seri aktesh, të cilat kanë qëllim kryesor parimin “kthimin e parave tek shqiptarët” duke paralajmëruar kështu anulimin e disa koncensioneve të miratuara nga qeveria aktuale.

“Padiskutim pjesë e kësaj do të jenë edhe një seri masash dhe ligjesh të cilat do të zhbëjnë këtë klimë mbytëse që Edi Rama dhe qeveria e tij kanë krijuar për ekonominë, për njerëzit, për shëndetësinë, për arsimin, për mediat. Pra anullimi i një sërë masash të padrejta të cilat rëndojnë sot mbi shqiptarët dhe padiskutim vënia në lëvizje e programit tonë në të gjitha rrafshet që ju përshkrova më sipër. Këto padiskutim do të jenë vendimet e ditëve të para“, shprehet Basha.

Po ashtu, demokrati thotë se më datë 25 prill, Rama nuk do të përballet me të, por me shqiptarët të cilët janë varfëruar deri më tani për shkak të vendimeve të marra në tetë vite nga qeveria aktuale.

“Një njeri që nuk ka asnjë bilanc para shqiptarëve, fushatë të vetme do të ketë sharjet, fyerjet, sulmet ndaj kryetarit të opozitës dhe kryeministrit të ardhshëm, ndaj opozitës në tërësi koalicionit tonë që do të fitojë më 25 Prill dhe më e rëndësishmja të ndalojë të paevitueshmen; që më 25 Prill të fitojë Shqipëria dhe jo më Edi Rama. Më 25 Prill Edi Rama humb, Shqipëria fiton!

Arsyeja e dytё pse Shqipёria fiton mё 25 Prill ёshtё sepse ne nuk vijmë me premtime para shqiptarёve por po vijmë me njё program realist, tё zbatueshёm, me objektiva tё qarta dhe konkrete pёr tё korrigjuar dёshtimet e 8 viteve dhe pёr tё stabilizuar situatёn dhe pёr ta nxjerrë Shqipёrinё nga kjo krizё“, thekson Basha.

INTERVISTA E PLOTË

Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha faleminderit për këtë intervistë për ABC!

Lulzim Basha: Kënaqësi, faleminderit për ftesën!

Juxhin Mustafaraj: Duke nisur nga angazhimi kryesor i Partisë Demokratike përgjatë këtyre ditëve, prezantimi i programit për ekonominë, për shëndetësinë dhe gjatë ditës së sotme për arsimin. Do të doja ta nisnim në fakt me një përballje, Partia Demokratike prezanton një program ndërkohë që kryeministri Rama është i bindur se projekti i tij politik do të zgjas deri në vitin 2030 dhe ka bindjen që ju personalisht mund t’ju përball apo mund t’ju sfidojë në bazë të karakterit, ndërkohë që e sheh të paarsyeshme që të jap një program taksash. Si e keni parë këtë sfidë përball Edi Ramës?

Lulzim Basha: 25 Prilli është një ditë ku shqiptarët do të vendosin. Dhe janë dy çështjet kryesore për të cilat do të vendosin: çështja e parë është, i ka mbajtur premtimet me të cilat erdhi në pushtet Edi Rama? 300 mijë vende pune, shëndetësinë falas, uljen e taksave për 95% të shqiptarëve, rritjen e mirëqenies, reforma në arsim dhe të gjitha këto përgjigje Edi Rama mbetet në klasë. Jo vetëm për opozitën por për çdo shqiptarë.

Papunësia është rritur, kostoja e jetës është bërë e papërballueshme, numri i të rinjve që largohen nga vendi e kanë kthyer emigracionin përsëri në një katastrofë, në një plagë kombëtare.

Ndërkohë që Edi Rama nuk ka absolutisht asnjë zgjidhje për këto probleme. E kundërta, përpiqet të hedh fajin kudo! E keni parë? Ditët e fundit ka filluar të sulmojë edhe Bashkimin Europian dhe përfaqësuesit e vendeve partnere gjeostrategjike për Shqipërinë për dështimet e tij.

Dhe padiskutim një njeri që nuk ka asnjë bilanc para shqiptarëve, fushatë të vetme do të ketë sharjet, fyerjet, sulmet ndaj kryetarit të opozitës dhe kryeministrit të ardhshëm, ndaj opozitës në tërësi koalicionit tonë që do të fitojë më 25 Prill dhe më e rëndësishmja të ndalojë të paevitueshmen; që më 25 Prill të fitojë Shqipëria dhe jo më Edi Rama.

Më 25 Prill Edi Rama humb, Shqipëria fiton! Arsyeja e dytё pse Shqipёria fiton mё 25 Prill ёshtё sepse ne nuk vijmë me premtime para shqiptarёve por po vijmë me njё program realist, tё zbatueshёm, me objektiva tё qarta dhe konkrete pёr tё korrigjuar dёshtimet e 8 viteve dhe pёr tё stabilizuar situatёn dhe pёr ta nxjerrë Shqipёrinё nga kjo krizё.

Juxhin Mustafaraj: Për tu ndalur pikёrisht tek kjo deklaratë e juaja nё fakt e kam konstatuar dhe nё disa intervista tё mëparshme nё kёto zgjedhje duket se retorikat me tё cilёn ju i drejtoheni shqiptarёve nuk ёshtё njё pёrballje midis Edi Ramёs dhe Lulzim Bashёs, ju jeni shprehur dhe pak mё parë thatё se kjo do tё jetë një përballje midis shqiptarëve dhe Edi Ramёs.

Përse kjo zgjidhje, është le të themi kompleks pёrball Edi Ramёs pёr ta sfiduar apo ёshtё një mënyrë për të lexuar ndoshta dhe atё qё mund tё ndodh edhe pas 25 prillit.

Lulzim Basha: Shikoni kёtu nuk ka asgjё personale sepse nё rrafshin personal unё jo vetёm e kam sfiduar por dhe e kam mundur Edi Ramёn dhe kёtё e mbajnё mend tё gjithё banorёt e Tiranёs dhe tё gjithё shqiptarёt.

Kёtu ka diçka shumё mё tё madhe, ёshtё fati i shqiptarёve, ёshtё fati i Shqipёrisё dhe fati i shqiptarёve qё vendoset mё 25 Prill, prandaj pёrballja ёshtё midis gjithё shqiptarёve dhe Shqipёrisё dhe njё njeriu qё kёrkon ta mbajё peng pasi ka pasur 8 vite tё gjitha instrumentat e pushtetit nё dorё, ёshtё njeriu qё ka pasur mё shumё pushtet se Enver Hoxha dhe ka dёshtuar nё çdo fushё.

Me thoni ju çfarё mund t’i ofrojё mё Edi Rama shqiptarёve?! Dhe çdo shqiptar e di qё pa larguar atё, asgjё nuk do tё ndryshojё.

Asgjё nuk mund tё ndryshojё pa larguar Edi Ramёn. Ndaj hapi i parё ёshtё largimi i tij i cili do tё ndodh nё 25 prill, po do tё humb Edi Rama por do tё fitojё Shqipёria. Do tё fitojnё shqiptarёt, do tё fitojnё tё rinjtё, do tё fitojnё pensionistёt, do tё fitojnё mjekёt, infermierёt, pedagogёt, mёsuesit. Do tё fitojё Shqipёria.

Kjo është përballja dhe kjo nuk është retorikë, por realiteti me të cilën unë ndeshëm ditë për ditë. Kam takuar gjatë këtyre ditëve, javëve, muajve, pavarësisht prej kufizimeve të COVID-it qindra mijëra qytetarë kudo, ka një entuziazëm në rritje, e shikoni edhe në sondazhet që publikohen, sigurisht ato që qeveria nuk arrin t’i manipulojë, opozita ka një mbështetje plebishitare, njerëzit mezi presin ndryshimin, partia demokratike ditë për ditë zmadhojnë përkrahjen popullore dhe me 25 prill Shqipëria fiton, partia demokratike dhe aleatët fitojnë, Rama humb dhe ky është konkluzioni i 8 viteve të dështimeve të tij.

Juxhin Mustarafaj: Pse jeni kaq i bindur zoti Basha se do të fitoni? Në fakt është e llogjikshme që çdo lider i një force politike të madhe siç është partia demokratike, të ketë pritshmëri për të fituar, por nëse kjo gjë nuk ndodh në 25 prill

Lulzim Basha: Thash Shqipëria fiton dhe Shqipëria fiton vetëm kur largohet Edi Rama, pa larguar Edi Ramën asgjë në vend nuk do të ndryshojë, jua thashë, jua përsërisë, 8 vite me radhë premtime të pambajtura, dështim pas dështimi me të gjithë pushtetet që kishte në dorë nuk arriti dot të mbante një premtim të vetëm para shqiptarëve dhe konkluzioni i 25 prillit nga shumica dërmuese e shqiptarëve nuk është thjeshtë dhe vetëm projektimi ynë, pavarësisht se dhe projektimet tona tregojnë të njëjtën gjë, është realiteti, nuk fshihet dot ky realitet.

Kudo fjalët në majë të gjuhës së njerëzve janë, boll më, është mbushur kupa, ky duhet të ik, ky duhet të largohet, por ne nuk jemi mjaftuar me konstatimin e kësaj që është, do thoja një vullnet mbarëpopullorë, largimi i Edi Ramës është kthyer në një emergjencë kombëtare.

Largimi i Edi Ramës është hapi i parë për të ndryshuar Shqipërinë, por me seriozitet, pas një pune të gjatë, po ju japim shqiptarëve një plan konkretë masash që do të prekë jetën e çdo shqiptari.

Ky është plani që po shpalosim ditë për ditë me ekspertët tanë përballë shqiptarëve.

Juxhin Mustafaraj: Zoti Basha nëse ju lexon ju dhe kryeministrin Rama në retorikën publike, ka një kryeministër i cili merret personalisht me ju ndërkohë që shpesh herë ju e keni shmangur përcaktimet personale apo etiketimet ndaj ti. Në fakt çfarë mendoni ju..

Lulzim Basha: Është fare e thjeshtë Juxhin po ta përsëris meqë pyetja i ngjan pyetjes së mëparshme.

Juxhin Mustafaraj: jo çfarë mendoni ju personalisht për Edi Ramën? A ka vetë Edi Rama ndonjë meritë në të gjithë karrierën e tij politike?

Lulzim Basha: Është përgjegjës për të gjitha dështimet e këtyre 8 viteve dhe nuk e fshehë dot më këtë përgjegjësi as duke më sulmuar mua, as duke sulmuar Partin Demokratike, as duke sulmuar ambasadorët perëndimor në vend, as duke sulmuar Bashkimin Europian, as duke sulmuar apo duke u përpjekur ti mbyll gojën medias, shoqërisë civile apo qytetarëve shqiptarë.

Edi Rama është përgjegjësi për dështimet e këtyre 8 viteve. Është dështimi vetë i këtyre 8 viteve ku Shqipëria jo vetëm ka mbetur në vend numëro por ka shkuar mbrapa në çdo fushë, me ekonomi të rrënuar, me papunësi të shtuar, me emigracion në nivele rekord duke kapur vendet e para në botë për emigracionin masiv, me shkatërrimin e vendeve të punës, me rritjen e kostos së jetesës, me shkatërrimin e shëndetësisë që e nxori zbuluar pandemia, me korrupsioni galopant dhe kapjen e shtetit që nuk kurseu as fondet për rindërtimin dhe për tërmetin pra dështim në çdo fushë ndaj përballja e Edi Ramës është me qytetarët, është me shqiptarët, kësaj nuk do ti ik dot.

Çfarëdo që të bëj dhe do të përpiqet gjatë këtyre javëve që i ka mbetur nuk i ikën dot përballjes me të vërtetën. Bilanci i tij nuk është zero është negativ, është negativ në çdo fushë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në këto kushte unë e shohë si detyrën time kryesore mos të merrem me dikë pa largimin e të cilit Shqipëria nuk mund të ecë përpara dhe që e ka kuptuar këtë tashmë çdo shqiptar.

Por me të drejt tu shpjegoj shqiptarëve thjesht, qartë dhe konkretisht se çfarë do të bëjë qeveria e nesërme. Largimi i Edi Ramës në 25 Prill është fitorja e çdo shqiptari. Por në 25 Prill fillon një punë e madhe për të korrigjuar dështimet e tij dhe ky është thelbi i planit tonë ekonomik, planit tonë për shëndetësinë, planit tonë për arsimin dhe planet e tjera që po shpalosen të cilat janë produkt i një pune serioze dhe nuk janë premtime, por janë angazhime konkrete plotësisht të zbatueshme që do të ndryshojnë fatin e çdo shqiptari.

Juxhin Mustafaraj: Zoti Basha besoj që ju jeni koshient që shqiptarët për shkak të kufizimeve dhe mbylljes së kufijve nga pandemia në momentin që flasim e kanë të pamundur të largohen, por nëse do të ishim në një situatë normale shumë prej tyre duan që të ikin për shkak se kanë humbur besimin te jeta politike për mënyrën se si është zhvilluar jeta politike në Shqipëri. Çfarë mund të bëni ju për të ndalur këtë largim apo akoma më shumë për të rikthyer njerëzit shqiptarë të cilët kanë emigruar jashtë vendit?

Lulzim Basha: Shumë e thjeshtë. Një qeveri që mendon për njerëzit dhe jo për veten, një qeveri që nuk i braktis në ditët më të vështira dhe shtrohet në gosti luksi restoranteve më luksoze të botës apo trefishon pasuritë në letër, sepse në fakt i ka shumëfishuar ndërkohë që shqiptarët varfërohen.

Dhe për këtë plani ynë i punës është konkret, i qartë dhe i zbatueshëm. Lufta kundër korrupsionit do të sjellë mjaftueshëm të ardhura për të plotësuar angazhimet tona të para ndaj shqiptarëve. Dhe angazhimi kryesor është rritja e punësimit, 110 mijë vende pune dhe që shqiptarët të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre.

Çka do të vijë jo vetëm përmes rritjes së punësimit por edhe uljes së taksave, taksën e sheshtë 9%, me taksën tavan 0.5% për biznesin e vogël, me uljen e çmimit të karburanteve për të cilin e kemi kapur prapë rekordet historike, ne, Suedia dhe Singapori në krye të listës së vendeve me naftën më të shtrenjtë në botë. Ndërkohë që shqiptarët janë vendi, janë populli me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë.

Kjo është arsyeja se një nga vendimet e para do të jetë heqja e taksës Rama mbi karburantin. Ne i kemi shpjeguar në detaje dhe do vazhdojmë t’i shpjegojmë këto masa ekonomike por thelbi është ky, brenda një kohe shumë të shkurtër një qeveri që mendon për njerëzit dhe që do t’ia kthejë Shqipërinë shqiptarëve do të mundësojë, së pari, që ata të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre, për mirëqenien e tyre personale, për familjet e tyre. Dhe së dyti, do të mundësojë një sistem investimesh dhe destinimi të parave publike që do ta bëjë jetën e të gjithë shqiptarëve më të lehtë dhe më të mirë.

Më të lehtë për ata që janë në vështirësi ekstreme dhe më të mirë për të gjithë ata të cilët me punën e tyre kërkojnë të ecin përpara me një qeveri që e kanë në krah dhe jo kundër. Ky është thelbi i planit tonë.

Një plan pune konkret që ndihmon shqiptarët në të gjitha kategoritë nga shtresat në nevojë me dyfishimin e ndihmës ekonomike tek familjet e reja me skemën tonë të mbështetjes për të porsalindurit me 30 mijë lekë të vjetra në muaj deri sa të bëhen 5 vjeç, të mbështetjes për 5000 çifte apo familje të reja me pagesën e plotë të interesave të kredisë kur duan të blejnë një banesë.

Të mbështetjes së sistemit arsimor për fëmijët deri në përfundim të shkollës së mesme, me mbështetjen tonë për universitetet. Pra, dora e shtetit do të ndihet, do ta shoqërojë shqiptarin, jo tashmë duke e grabitur dhe duke i marrë dhe ato qindarka që i kanë mbetur dhe duke ja dhënë vetes së vet dhe një grushti oligarkësh por duke i kthyer paratë e punës tyre, se janë paratë e tyre, janë paratë e djersës së tyre, punës tyre duke jua kthyer këto para në radhë të parë si ulje taksash dhe si investime që përmirësojnë jetën e tyre në çdo fushë.

Juxhin Mustafaraj: Unë në fakt e kam lexuar programin, planin tuaj ekonomik dhe ka qenë një pikë në fakt të cilën e kam konsultuar dhe me ekonomistë: Premtimi apo zotimi për dyfishimin e të ardhurave për frymë. Edhe Zoti Mima në fakt e ka sqaruar që ky është një projekt ambicioz përtej vitit apo një mandate qeverisës të Partisë Demokratike, ka qenë një lapsus përfshirja?

Lulzim Basha: Jo, jo nuk ka asnjë lapsus absolutisht. Ky është synimi ynë politik.

Juxhin Mustafaraj: Si mund të arrihet ky zotim?

Lulzim Basha: Synimi ynë politik është dyfishimi I të ardhurave të shqiptarëve. Ne besojmë se me programin tonë ekonomik, do të kthejmë, jemi të bindur që do të kthejmë rritjen ekonomike në Shqipëri, investime të brendshme dhe të huaja në nivele të para katastrofës së 8 viteve të Edi Ramës dhe sipas gjithë përllogaritjeve tona këto do të mundësojnë që ekonomia të garantojë një rritje të tillë të punësimit dhe të mirëqenies që brenda një periudhe jo më shumë se 8 vjeçare pra brenda 2 mandateve ne të arrijmë të dyfishojmë të ardhurat e shqiptarëve.

Juxhin Mustafaraj: Zoti Basha përballë gjithë zotimeve që ju keni për zgjedhjet e 25 Prillit keni menduar që ditën tuaj të parë si kryeministër cili është akti I parë qe do të duhej të firmosej që të kishte dhe një impakt publik?

Lulzim Basha: Akti i parë dhe një sërë aktesh, nuk do të jetë një akt, do të jetë vënia në zbatim e planit të punës që po shpalosim para shqiptarëve, të programit ekonomik, programit për shëndetësinë, programit për arsimin, të taksave, të ndihmës ekonomike, të ndihmës për fermerët, pra do të jenë një seri vendimesh, nuk do të jetë një vendim i vetëm por do të jenë një seri vendimesh të cilat do të ndihmojnë drejtpërdrejt synimin tonë kryesor: paratë në xhepat e shqiptarëve, në duart e shqiptarëve dhe jo të shpërdoruara nga pushtetarët apo në duart e një grushti oligarkësh.

Padiskutim pjesë e kësaj do të jenë edhe një seri masash dhe ligjesh të cilat do të zhbëjnë këtë klimë mbytëse që Edi Rama dhe qeveria e tij kanë krijuar për ekonominë, për njerëzit, për shëndetësinë, për arsimin, për mediat.

Pra anullimi i një sërë masash të padrejta të cilat rëndojnë sot mbi shqiptarët dhe padiskutim vënia në lëvizje e programit tonë në të gjitha rrafshet që ju përshkrova më sipër. Këto padiskutim do të jenë vendimet e ditëve të para.

Juxhin Mustafaraj: pak ditë më parë keni deklaruar se ju personalisht do të garoni në qarkun e Tiranës, me mundësitë që ju jep kodi zgjedhor i referuar dhe deklaratave të kryeministrit Rama i cili ka theksuar se mund të kandidojë në Vlorë dhe në Durrës. Përse nuk e shfrytëzoni kodin zgjedhor për të garuar më shumë se sa në qarkun e Tiranës?

Lulzim Basha: për mua këto zgjedhje si për shumicën e Shqiptarëve nuk janë për një person apo një person tjetër apo për mundësitë për të shfrytëzuar hapësira të padrejta siç janë këto, Venecia tha që është e pa drejtë që kryetarët të garojnë në më shumë se sa një qark, por janë për ti dhënë shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo krizë, për ti dhënë shqiptarëve mundësinë që bashkë me 25 prill të fitojë Partia Demokratike, koalicioni, Shqipëria, çdo shqiptarë.

Këtu është gjithë fokusi dhe vëmendja ime dhe këtë mund ta shikoni në rrallë të parë tek aktiviteti im i përditshëm i cili konkretizohet me shpalosjen e planeve ekonomike, të shëndetësisë, të ekonomisë, të arsimit. Në fakt është rezultati i një pune të gjatë në kontaktet e vazhdueshme që kam me njerëzit dhe pa diskutim edhe në angazhimin tonë që koalicioni të japi formë dhe përmasë dëshirës mbarë popullore për të larguar Edi Ramën dhe për të çliruar Shqipërinë dhe për të ndryshuar fatin e çdo shqiptari përmes programit tonë Shqipëria Fiton.

Juxhin Mustafaraj : Ka gjithmonë në fakt një interes kur bëhet fjalë për kandidimin e ish-kryeministrit Berisha, nëse do të jetë dhe në dëshirën e tij dhe për shkak të peshës historike që ai ka në Partinë Demokratike do të vendosnit ju që ai të ishte përballë Edi Ramës në Durrës?

Lulzim Basha: Shiko, nuk preferoj të flas me nëse, këto janë çështje të cilat javët e ardhshme do të bëhen fare konkrete për të gjithë.

Juxhin Mustafaraj: Edhe një pyetje të fundit zoti Basha. Përtej angazhimit publik dhe angazhimit politik që ju keni, cili është roli i familjes tuaj, çfarë peshe zënë ata në ditën tuaj?

Lulzim Basha: Fatkeqësisht, shumë më pak se ç’duhet të zënë por ju jam mirënjohës atyre për sakrificën e jashtëzakonshme, ata janë burimi i forcës time, i energjisë time, i frymëzimit tim dhe i motivimit tim sepse unë besoj fuqishëm që me 25 prill do të fitojë Shqipëria, do të fitojë çdo familje shqiptare dhe unë dua që çdo familje shqiptare ti jepet mundësia që jo vetëm të shpresojë tek një e nesërme më e mirë por edhe të fillojë ta ndërtojë këtë të nesërme e ta ndërtojmë të gjithë së bashku me programin tonë me përkushtimin tonë dhe me një qeverisje të re që do t’ja kthejë Shqipërinë shqiptarëve dhe që do të punojë për njerëzit dhe jo për veten e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat