Vrasja për 50 kg kokainë/ Kush është personi që akuzohet për vrasjen e 2 shqiptarëve dhe një turku

Shqipëria

Vrasja për 50 kg kokainë/ Kush është personi që akuzohet për vrasjen e 2 shqiptarëve dhe një turku

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 14:07
Endrit Alibeaj

Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2018, në Elbasan. 

Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të 2018 ku në një atentat mafioz mbetën të vrarë Endrit Alibeaj, Arben Dylgjeri dhe turku Terdal Durunay.

Autori i dyshuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është Mikael Qosja, 35 vjeç. Ai është i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtja pa leje”.

Tre vite më parë, pikërisht më datë 28 dhjetor të vitit 2018, Elbasani u trondit nga një vrasje e trefishtë. Shënjestër ishin pjesëtarët e familjes Dylgjeri.

Familja Dylgjeri kthehej nga një festë familjare në qytetin e Peqinit. Në rreth-rrotullimin e Bradasheshit, mjetet e tyre, të cilat ishin tri në rresht njëra pas tjetrës, ku brenda ndodheshin dhe gra dhe fëmijë, u përfshinë nga disa breshëri armësh.

Si pasojë mbetën të vdekur në vend Endrit Alibej, 34 vjeç; Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy xhaxha dhe nip, si edhe Erdal Durunay, 51 vjeç, shtetas turk. Ata u qëlluan me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”, ndërsa ishin kthyer në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre.

Dyshime për konflikte për drogën

Prokuroria e Elbasanit në tetor të 2019 lëshoi 5 urdhër-arreste për ekzektutimin e Endrit Dylgjeri(Alibej), xhaxhait të tij Arben Dylgjeri si dhe turkut Erald Durunaj më 29 dhjetor të vitit 2018 në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit.

3 prej urdhër-arresteve janë për ekzekutorët e trefishtë, ndërsa 2 janë për “porositësit”. Gjithçka ka nisur nga 50 kg kokainë që humbën në Britani të Madhe disa vite më parë. 

Në vitin 2017, në Londër, një i ri nga Elbasani po transportonte 50 kg kokainë për llogari të dy vëllezërve, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar ende. Por në vend që droga të shkonte tek ta, përfundoi në duart e “hajdutëve” rrugëve të Londrës. “Transportuesi” është marrë peng për disa orë nga disa persona, të cilët i kanë marrë drogën. Episodi ka shtyrë dy vëllezërit që të mendojnë se pas grabitjes janë Erion dhe Endrit Alibej bashkë me grupin e tyre.

Për t’u hakmarrë më pas ata kanë porositur ekzekutimin e Endrit Alibejt, i cili u qëllua më 28 dhjetor 2018, teksa po udhëtonte bashkë me familjen e tij, xhaxhanë Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erald Durunaj.

Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, në makinë nga ky është qëlluar në drejtim të “Land Roverit” të Alibejt kanë qënë tre persona. Dy prej tyre kanë qëlluar me breshëri duke lënë të vdekur tre persona, ndërsa tjetri ka pasur si detyrë që të “drejtojë” automjetin Mercedez Benz. Por nuk dihet nëse të përfshirë në hetime janë të vdekurit e fundit në Elbasan. 

Kjo pasi vëllai i Endrit Alibejt, Erion Alibej kishte nisur një “fushatë spastrimi” për t’u hakmarrë për vdekjen e vëllait të tij. Ai u arrestua nga Policia për porositjen e vrasjes së 2 personave në Korrik, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Po ashtu Alibej është i dyshuar kryesor edhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës, pranë të njëjtit vend ku u qëllua pak ditë para ndërrimit të viteve Endriti. Pas lëshimit të urdhër-arresteve nga Prokuroria, Policia ka nisur menjëherë nga puna për kapjen e të gjithë të dyshuarve dhe për zbardhjen e një zinxhiri vrasjes të lidhura me njëra-tjetrën në zonën e Elbasanit. 

Njoftimi i Policisë

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore bënë të mundur identifikimin e një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 29.12.2018, në fshatin Bradashesh, Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit E. A., A. D. dhe T. D.

Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi:

M. Q., 35 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat