Banorët e “5 majit” protestë për shembjen e banesave: Nuk jemi dakord me vlerësimin e bashkisë

Shqipëria

Banorët e “5 majit” protestë për shembjen e banesave: Nuk jemi dakord me vlerësimin e bashkisë

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 19:18
Banorët e “5 majit”

Disa banorët të lagjes “5 maji” në kryeqytet kanë dalë në protestë këtë të enjte lidhur me shembjen e shtëpive të tyre në kuadër të rindërtimit.

Ata shprehen se kishin lënë një takim me nënkryetarin e bashkisë Arbian Mazniku, por ky i fundit u ka bërë me dije se nuk do të jetë në takim.

Banorët thonë se nuk janë dakord me mënyrën se si bashkia ka vepruar dhe me kompensimin lidhur me banesat apo bizneset e tyre në këtë zonë.

“Kemi shumë probleme që nuk janë prekur. Vlerësimi nuk është normal, se disave u është vlerësuar vetëm banesa, por jo pjesa tjetër, toka, pemët që ka mbjellë. Tjetri ka biznesin sipër.”

“Njerëzit janë të trembur dhe të frikësuar. Nuk ka një sqarim të saktë. Prona është e imja. Unë kam 10 vite që ndërtoj, kam ardhur nga Italia. Veliaj do 15 minuta që ta bëjë shtëpinë si e imja, ndërsa unë dua 10 vite. Problemi qëndron se nuk duhet të qëndrojmë me frikë se ai ta shemb. Ne nuk jemi kundër përdorimit publik, por të vinte te shtëpia dhe të thoshte a jemi dakord. Unë nuk jam dakord as me vlerën, as me mënyrën se si bëhet ky proces. Ne u mblodhëm sot, por ai tani nuk vjen. Shpjegohen gjërat.”

“Pas njoftimit të sjellë donim sqarime. Vendimet janë marrë në mënyrë arbitrare pa u konsultuar me banorët. Ne nuk dimë asgjë, të na kishin thënë se do merret toka me këtë vlerë. Na kanë dhënë njoftim për kompensim, se nuk përfaqëson tregun. Ne të gjithë jemi pro zhvillimit, por duam të drejtën tonë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat