Brataj: Mutacioni i koronavirusit mund të ketë hyrë në vendin tonë

Shqipëria

Brataj: Mutacioni i koronavirusit mund të ketë hyrë në vendin tonë

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 21:48
Skënder Brataj

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, deklaroi se gjendja nga COVID-19 në Shqipëri është përkeqësuar.

Brataj theksoi se mutacioni i koronavirusit ka shumë gjasa të ketë hyrë në vendin tonë. Ai shtoi se Shqipëria, në bashkëpunim me autoritetet e vendeve europiane të zhvilluara, mund të identifikojë koronavirusin e ri.

“Gjendja është përkeqësuar. Festat e fundvitit, spostimi nga Tirana në qytete të preferuara, ka krijuar më shumë raste. Njerëzit e çuan virusin në Sarandë për shembull nga pushimet. Shqipëria mund të bashkëpunojë me autoritete europiane për të identifikuar koronavirusin e ri. Vendi ynë ka shumë mundësi të preket nga koronavirusi i ri”, tha Brataj.

Po ashtu Brataj tha se është e pamundur të ngresh infrastrukturë për sekuencimin e COVID-19 për të zbuluar variantet e reja, pasi është një strukturë shumë e kushtueshme. Ai shtoi se nuk mund ta ndjekësh pasi vazhdimisht ndodhin mutacione, por nga ana tjetër është i njëjti trajtim.

“Laboratori i ISHP dhe që u vu tek qendra e gjakut, u shtuan kapacitetet e testimet. Kosova i ka dërguar në gjermani për sekuencimin. Është një strukturë shumë e kushtueshme dhe është një gjë në dinamikë. Ti nuk e ndjek dot gjithmonë. Dhe për një HIV dhe për një sekuencim të një virusi çoheshin në Athinë ose Romë. Sot e ke një laborator. Plus duan kohë dhe burime financiare. Nuk mund të pretendojmë të kemi një laborator sekuencimi për 3 mln vetë. Sa shtame do të vijnë”, tha Brataj.

Sa i përket shifrave të COVID-19 në rritje, ai u shpreh pro masave shtrënguese. “Sa herë indikatorët rriten do marrësh masa shtrënguese, më të rrepta që të ulet përhapja e infeksionit. Këto janë masat për infeksionin. Me këtë përhapje jam për masa”, tha kreu i Urgjencës Kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat