Imuniteti i tufës pa vaksinë zbeh shpresat për rimëkëmbje ekonomike në vend

Shqipëria

Imuniteti i tufës pa vaksinë zbeh shpresat për rimëkëmbje ekonomike në vend

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 10:36
Foto ilustruese

Shqipëria, aktualisht, duhet të vaksinojë 500 mijë persona që të krijojë imunitetin e tufës, me qëllim që të rrisë, ndër të tjera, përfitimet të cilat i vijnë ekonomisë nga sezoni turistik, por oferta e kufizuar e vaksinës zbeh shpresat tek imunizimi i shpejtë.

Ekspertët e shëndetit publik lajmërojnë periudhë të vështirë deri në fillim të verës, qetësim të situatës në verë dhe rikthim të pandemisë në dimër. Vaksina do t’i shërbejë imunizimit në vjeshtë

Paqartësitë se si do të imunizohet popullsia e vendit ndaj COVID-19 nëpërmjet vaksinës i kanë rritur pasiguritë, jo vetëm në drejtim të stabilizimit të situatës shëndetësore, por ka zbehur edhe pritshmëritë nëse ekonomia e vendit do të mund të rikthehet në normalitetit edhe këtë verë.

Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se gjasat janë që imuniteti i tufës të krijohet pa vaksinë, pasi shumica e furnizimeve direkte nga kontrata e Qeverisë me Pfizer janë për vjeshtë – dimër 2021, ndërsa mekanizimi COVAX, instrument i OBSH-së për sigurimin e vaksinës në vendet e varfra, nuk do t’ia sjellë shpejt sasitë që i duhen Shqipërisë. Prodhimi i vaksinave nga Pfizer dhe Moderna nuk po ecën me ritmet e parashikuara, duke krijuar vonesa për furnizimet e kontratave më të hershme me vendet e zhvilluara të Europës.

Teksa pandemia është në pikën më kritike të saj, skenarët pa vaksinën parashikojnë një situatë të vështirë deri në fillim të verës, qetësim gjatë verës si pasojë e temperaturave të larta dhe rikthimi në vjeshtë dhe dimrin 2021-2022.

Doktor Gazmend Koduzi, ekspert i çështjeve të shëndetit publik, tha se zhvillimet pandemike në Shqipëri nuk do të frenohen nga vaksina të paktën deri në vjeshtë. Prodhuesit do të furnizojnë vendet që kanë lidhur kontrata paraprake me Pfizer më herët se Shqipëria. Deri atëherë, popullsia e vendit tonë do të ketë krijuar imunitetin e tufës, por kjo do të krijojë kosto në jetën sociale dhe ekonomike, thotë Koduzi.

Vonesat e furnizimeve me vaksinën dhe mungesa e masave shtrënguese do të penalizojnë shëndetin e popullatës, ndërsa mungesa e lirisë në lëvizje të paktën në 6-mujorin e parë do të dëmtojë ekonominë e vendit, e cila ka varësi të lartë nga sektori i shërbimeve dhe sidomos udhëtimeve. Vendet kryesore të Europës kanë rikthyer masat kufizuese dhe se politikat e hapjes në lëvizje po synojnë “pasaportën e imunitetit”. Shqipëria rrezikon të jetë një “dele e zezë” duke i zbehur shanset për një sezon veror normal. Qeveria nuk ka mundësi të ofrojë paketa direkte ndihme, pasi ka konsumuar rritjen e borxhit publik dhe rritjen e taksave.

Alban Ylli, ekspert i çështjeve të Shëndetit Publik tha se, aktualisht duhet të vaksinohen 500 mijë persona në Shqipëri, në mënyrë që të krijohet imuniteti i tufës. Ai thotë se rreziku i pandemisë do të jetë i lartë deri në dimrin e ardhshëm, me zbehje gjatë verës.

Vaksina për imunizim masiv, jo para vjeshtës

Shqipëria ka nënshkruar me Pfizer dhe nismën COVAX 1400 doza vaksine, të cilat janë të vlefshme për të imunizuar 800 mijë persona, deklaroi ministrja e Shëndetësie, Ogerta Manastirliu. 500 mijë doza i takojnë marrëveshjes së drejtpërdrejtë me kompaninë prodhuese të vaksinës, Pfizer.

Sipas marrëveshjes konfidenciale ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Pfizer, të publikuar nga Gogo.al, pritej që në muajin janar 2021, të vinin furnizimet me 10 mijë e 530 dozave, në shkurt 30 mijë e 420 doza dhe në vjeshtë-dimër, edhe 458 mijë e 640 dozat e tjera. Nga të dhënat, mbi 90% e dozave do të vijnë në vjeshtë. Në të njëjtën linjë do të jenë edhe furnizimet nga nisma COVAX, pasi vetëm dy ditë më parë u firmos marrëveshja me Pfizer. Doktor Koduzi thotë se, furnizimet po kryhen me parimin, ai që ka nënshkruar dhe paguar i pari, furnizohet i pari.

Ministrja Manastirliu tha se, Pfizer-it i janë paguar paraprakisht rreth 2.9 milionë dollarë, si dhe është parapaguar instrumenti i COVAX-it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë.  Më datën 22 janar, Pfizer raportoi se kishte nënshkruar me nismën COVAX marrëveshjen e furnizimit për 40 milionë doza që do të shpërndahen në 92 vende në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria më 2021.

“Dozat e para pritet të dorëzohen në tremujorin e parë të vitit 2021, në varësi të negociatave dhe ekzekutimit të marrëveshjeve së furnizimit nën strukturën e facilitetit COVAX me një çmim jo fitimprurës” – njoftoi zyrtarisht, Pfizer

Aktualisht janë duke u zhvilluar 50 vaksina për të luftuar COVID-19, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por vetëm 12 kanë kaluar fazën e tretë dhe përfundimtare të testimit në njerëz, por jo të gjitha janë miratuar nga autoritetet e BE-së dhe SHBA-së për përdorim.

Izraeli i pari në botë, Serbia e para në rajon

Izraeli është vendi i parë në botë që po imunizon popullsinë nga pandemia nëpërmjet vaksinës. Sipas të dhënave nga portali “ourworldindata”, Izraeli ka vaksinuar 18,7% të popullsisë, prej 8.8 milionë banorësh deri më 28 janar. Me 4,5 milionë doza, shumë shpejt do të sigurojnë imunizimin e të paktën gjysmës së popullsisë.

Ekspertët e shëndetit publik presin që Izraeli, veç të tjerash, të shërbejë edhe si eksperiment se sa eficient do të jetë imunizimi i tufës nga pandemia nëpërmjet vaksinës. Pas Izraelit, Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi me vaksinim më të shpejtë, ku deri tani kanë marrë dozat totale 2,5% e popullsisë. Emiratet kanë pranuar dhe miratuar për përdorim disa vaksina.

Vendet e tjera të zhvilluara të Europës kanë siguruar doza në sasi më të kufizuara që nuk e arrijnë imunizimin e tufës.  Në rajon, Serbia është e para për vaksinimin e popullsisë ku deri në më 28 janar ishin vaksinuar rreth 200 mijë persona në një popullsi prej rreth 7 milionë banorësh. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka siguruar një seri dozash që përfshijnë Pfizer, Sputnik Rus dhe së fundmi 1 milion doza nga Sinopharma kineze.

Ballkani konspiracionist nuk beson te vaksina

Vaksinat nga Perëndimi, Rusia apo Kina është një dilemë me të cilën po përballen shtetet në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, ku fushatat e vaksinimit kanë nisur ngadalë dhe nën hijen e debateve të nxehta politike dhe teorive konspirative. Teoritë se koronavirusi është një mashtrim, ose se vaksinat do të injektonin mikroçipa tek njerëzit janë përhapur në vendet që kryesisht kanë dalë nga regjime komuniste, kohë në të cilën fushatat e vaksinimit kanë qenë më të suksesshmet.

Një studim nga Grupi Këshillimor i Politikave të Ballkanit në Europë, i publikuar para fillimit të fushatës rajonale të vaksinimit në dhjetor, arriti në përfundimin se teoritë e konspiracionit të virusit besohen nga gati 80% e qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë të bashkohen me BE. Rreth gjysma e tyre do të refuzojnë të vaksinohen, thonë rezultatet.

Më së shumti, të anketuarit pretendojnë se virusi nuk është i vërtetë ose se është një armë bio e krijuar nga SHBA ose kundërshtarët e saj. Një tjetër argument për konspiracionistët është se themeluesi i Microsoft, Bill Gates, po i përdor vaksinat COVID-19 për të injektuar mikroçipa te 7 miliardë njerëzit në planet. Shkak për mosbesimin e lartë është niveli i ulët informacionit në lidhje me virusin dhe vaksinat, si dhe mosbesimi te qeveritë e tyre.

Trende të ngjashme janë parë edhe në disa vende të vendeve lindore të Bashkimit Europian. Në Bullgari, teoritë e përhapura të konspiracionit penguan përpjekjet për të trajtuar seriozisht shpërthimin e fruthit. Sondazhet në Hungari kanë gjetur se mosbesimi ndaj vaksinave mbetet i lartë edhe kur rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten. Një sondazh i fundit i “Gallup International” zbuloi se 30% e të anketuarve dëshirojnë të vaksinohen, 46% do të refuzojnë dhe 24% janë të pavendosur. Në Republikën Çeke, sondazhet tregojnë se rreth 40% refuzojnë vaksinimin.

Vetëm rreth 200,000 njerëz aplikuan për vaksinën në Serbi në ditët pasi autoritetet hapën procedurën. Në të kundërt, 1 milion serbë u regjistruan për 100 euro (120 dollarë) ditën e parë që qeveria ofroi paketën e ndihmës.

Rajoni, dobët me fushatën e vaksinimit, marrëveshjet vetëm në letër

Shqipëria, deri më tani, ka siguruar nga marrëveshjet 1 milionë e 400 doza vaksina në një marrëveshje direkte me Pfizer, për 500 mijë doza dhe 900 mijë të tjera nga marrëveshja me nismën COVAX. Në janar u siguruan 900 doza që po përdoren për vaksinimin e personelit mjekësor në vijën e parë të luftës ndaj pandemisë.

Komisioni Europian miratoi një paketë prej 70 milionë eurosh nën instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar financimin e aksesit të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19 të prokuruara nga vendet anëtare të BE-së.

Sipas KE-së, paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet me përparësi në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet me gjashtë prodhues, me Shtetet Anëtare të BE-së të veçanta që ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara.

Për disa vende të Ballkanit Perëndimor, sistemi COVAX do të jetë mënyra e vetme për sigurimin e vaksinave. Mali i Zi është mbështetur deri më tani vetëm në COVAX, të cilin e nënshkroi më 9 tetor 2020. Podgorica ra dakord të paguante 646,000 euro për 248,800 doza, të mjaftueshme për 20% të popullsisë.

Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Kenan Hrapović, tha se Maqedonia e Veriut, me pak më shumë se 2 milionë banorë, gjithashtu pret që të marrë 800,000 doza nëpërmjet nismës COVAX, me qeverinë që tashmë ka vënë në dispozicion 6.7 milionë euro. Shkupi po shikon gjithashtu mënyra për të siguruar 800,000 doza të tjera direkt nga prodhuesit, duke përfshirë Pfizer dhe AstraZeneca. Maqedonia e Veriut ka porositur 833.000 doza vaksinash, që vlerësohet të dorëzohen në fillim të vitit të ri. Fushata e vaksinimit do të nisë në mars pas trajnimit të personelit mjekësor.

Kosova u regjistrua në iniciativën COVAX këtë muaj. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se 360,000 doza do të sigurohen falas. Vendi ka në plan të sigurojë një total prej 1.2 milionë dozash përmes kanaleve të ndryshme. Vaksinimet në vend mund të nisin në mes të marsit ose në fillim të prillit.

Revanshi i pandemisë, Eurokontrolli parashikon këtë vit rikuperim 51% e nivelit të 2019-s

Rikthimi i fortë i pandemisë në vitin 2021 në të gjithë Europën dhe shtrëngimi i masave në lëvizje pritet ta vënë në vështirësi industrinë e udhëtimeve dhe sidomos linjat ajrore.

Sipas projeksioneve të Eurokontrollit (Organizata pan-europiane, civile-ushtarake për mbështetjen e aviacionit europian) trafiku ajror europian për vitin 2021 pritet të rimëkëmbet në 51% të nivelit të vitit 2019. Rikuperimi pritet në gjashtëmujorin e dytë.

Ekspertët presin që viti 2021 do të jetë edhe më i vështirë për industrinë. Linjat ajrore dhe aeroportet janë të paqarta për projeksionet e pandemisë, ecurinë e vaksinimit dhe planet e vendeve për llojet e kufizimeve. Trafiku ajror e mbylli vitin 2020 më rënie -55% të niveleve të vitit 2019. Në total, 5.0 milionë fluturime janë operuar në vitin 2020 krahasuar me 11.1 në 2019, një humbje prej 6.1 milionë fluturimesh në Europë./Monitor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat