Korrupsioni në shëndetësi, Rama: Mjekët do paguhen në bazë të kontributit që japin

Shqipëria

Korrupsioni në shëndetësi, Rama: Mjekët do paguhen në bazë të kontributit që japin

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 13:25
Edi Rama

Korrupsioni në Shëndetësi mbetet ende një nga sfidat e qeverisë shqiptare. Kryeministri Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Sarandë tha se zgjidhja e këtij problemi është që mjekët të paguhen për aq sa kontribuojnë në sistemin shëndetësor.

“Nuk mund të kemi zgjidhje përfundimtare të çështjes së korrupsionit në shëndetësi, nëse ne nuk do të bëjmë kapërcimin tek autonomia shëndetësore, ti japim mundësi mjekëve që të fitojnë në bazë të kontributit që japin, Jo të gjithë njësoj, jo si në kooperativë. Mjeku që bën më shumë operacione ekzaminime do fitojë më shumë”, tha kryeministri Rama.

Autonomia e spitalit si një zgjidhje për të shmangur korrupsionin, sipas z. Rama do të nisë me spitalin rajonal të Fierit e më tej edhe në spitalet e tjera.

“Një nga gjërat që do bëjë spitali i Fierit është kjo ,do të ndërtojmë modelin e parë të autonomisë duke funksionuar spitali brenda sistemit publik, por do të jetë një model menaxhimi si në Turqi, aty nuk paguhen njësoj. Mjekët do të paguhen në bazë të performancës dhe më pas do i ndajnë të ardhurat, sipas orëve të punëve”, theksoi ai.

Sa i përket çështjeve të arsimit, Rama vuri theksin tek problematikat në universitete. Sipas tij, rektorët po kërkojnë të shtojnë programe, që nuk i shërbejnë tregut të punës.

“Kujt i shërben shtimi i këtyre programeve….Universiteti duhet të ulet të diskutojë sesi programet tona duhet të përballojnë kërkesën….”, theksoi kreu i qeverisë.

Rama sugjeron që prioritet t’u jepet programeve të tilla si teknologjia e Informacionit apo robotika, në mënyrë që studentët pasi të përfundojnë studimet të kenë mundësi punësimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat