Rritja e infektimeve, Akademia e Shkencave: Shtrëngim masash për të paktën 2 javë

Shqipëria

Rritja e infektimeve, Akademia e Shkencave: Shtrëngim masash për të paktën 2 javë

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 16:26
Ilustrim

Gjatë një konference shkencore, kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi kërkoi masa shtrënguese për frenimin e përhapjes më tej të Covid-19 në vend.

Sipas Akademisë së Shkencave do duhen të paktën 2 javë nën masa shtrënguese në mënyrë që të përshpejtohet ulja e kurbës së infektimeve.

“Nga dhjetori, vdekshmëria në Shqipëri është në nivelin e 1%, nga 2,2% që ishte mesatarja e saj deri në dhjetor. Kurba e përhapjes së pandemisë prej shtatorit e deri më sot ka formën e një vargmali me dy maja, një në mes të nëntorit dhe një në fillim të janarit. Në të gjitha vendet ka filluar zbritja.

Ne sot ndodhemi në majë dhe këtu bëjmë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Kjo vjen pasi në rajon në tërësi dhe te ne në veçanti zbatohen kufizime dhe masa më të buta se në pjesën tjetër të Europës. Tri masat e mirënjohura, higjienë, distancë, mbajtje e maskës, nuk respektohen sa duhet. Prandaj për të përshpejtuar uljen është e nevojshme që të riforcohen kufizimet dhe respektimi i tyre, së paku për një periudhë dyjavore”, tha ndër të tjera Gjinushi.

Gjatë konferencës së sotme për mediat, kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve që do të vendosë nëse do të ketë masa shtrënguese në vijim apo jo.

Nga nisja e pandemisë, Shqipëria regjistron 86,289 të infektuar dhe 1472 viktima.

Vetëm në javën e parë të shkurtit, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, u shënuan 80 viktima e mbi 7 mijë infektime të reja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat