Masat e reja anti-Covid, Rama: Të zbatohen rigorozisht, duke nisur nga partitë politike

Shqipëria

Masat e reja anti-Covid, Rama: Të zbatohen rigorozisht, duke nisur nga partitë politike

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 18:02
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar qytetarëve me një apel në rrjetet sociale fill pas komunikimit të masave të reja nga ministrja Manastirliu dhe Komiteti i Ekspertëve. Rama shkruan se masat e reja duhet të zbatohen rigorozisht, duke nisur nga partitë politike, pa përjashtim, e deri tek çdo individ që duhet të mbajë maskën kudo jashtë shtëpisë dhe të shmangë çdo grumbullim.

"Masat e reja duhen zbatuar rigorozisht, duke nisur nga partitë politike, pa përjashtim, e deri tek çdo individ që duhet të mbajë maskën kudo jashtë shtëpisë dhe të shmangë çdo grumbullim. Ora policore dhe njësitë tregtare të çdo lloji, do të mbikëqyren rreptësisht.

Ju lutem bëni tuajën të gjithë këto dy javë, që masat të lehtësohen e jo rëndohen më tej

Kufizimi i lëvizjes së popullatës nga ora 20:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, nga data 11.02.2021 deri në datën 25.02.2021. *Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore apo motive pune. Personat që lëvizin për arsye pune pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania.

Kufizimi i aktivitetit të bareve, restoranteve, fast food dhe lokaleve që ofrojnë shërbim për klientët, nga ora 20:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, nga data 11.02.2021 deri në datën 25.02.2021. *Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për shërbimin në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar protokollet AntiCovid.

Shkollat e mesme në zonat me risk të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të zhvillojnë mësimin online, nga data 11.02.2021 deri në datën 26.02.2021.

Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë të domosdoshme, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid", shkruan Rama.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi nga nesër, Shqipëria do të mbyllet në orën 20:00 dhe jo në 22:00, siç është aktualisht, këtu përfshihet lëvizja e qytetarëve dhe mbyllja e bareve dhe restoranteve. Këto masa do të jenë në fuqi deri më 25 shkurt, ndërsa shkollat e mesme në 10 bashki që janë cilësuar si me rrezikshmëri të lartë, të kalojnë në skenarin e tretë, pra të bëjnë mësimin online.  Në një deklaratë për shtyp ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se sezoni i provimeve do të zgjatet duke u bërë 45 ditë si dhe provimet që nuk mund të zhvillohet online, ta zhvillojnë në klasë, por me jo me më shumë se 15 nxënës dhe kohëzgjatja jo më shumë se 1 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat