Thirret në prokurori kryetari i PD-së Shkodër, Xhevdet Amuli

Shqipëria

Thirret në prokurori kryetari i PD-së Shkodër, Xhevdet Amuli

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 14:11
Xhevdet Amuli

Dosja e 30 qershorit nuk është mbyllur ende në prokurorinë e Shkodrës. Pak ditë më parë mësohet se oficerët e policisë gjyqësore kanë thirrur sërish për t’i marrë në pyetje, Kryetarin e Partisë Demokratike Shkoder, Xhevdet Amulin, disa simpatizantë të kësaj force politike dhe 10 qytetarë.

 Disa ditë përpara zgjedhjeve vendore, në shkollën “Shejnaza Juka” u dogjën disa materiale zgjedhore, pas protestave të zhvilluara ku PD asokohe vendosi të mos hyjë në zgjedhje. 

Menjëherë pas zjarrit në shkollë, policia arrestoi disa persona mes të cilëve edhe eksponentë politik dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë disa të tjerë. Kjo dosje edhe pse ka prej më shumë se një viti e gjysëm në Prokurorinë e Shkodrës, ende nuk është mbyllur, ndonëse personat e ndaluar të gjithë janë liruar.

Duke qenë se ndodhemi pak muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021, drejtuesit e Partisë Demokratike të Shkodrës e lidhin të gjithën këtë që po ndodh, me një presion të pastër që u bëhet atyre dhe simpatizantëve të opozitës.

 Kreu i Partisë Demokratike Shkodër, Amuli në deklarimin e dhënë në organin e akuzës ka theksuar se ajo protestë në shkollën “Shejnaze Juka” dhe djegia e materialeve zgjedhore nuk kanë qenë një organizim i PD-së Shkodër por një irritim i qytetarëve të thjeshtë që kanë bërë ato veprime.

 Çdo herë që PD-ja Shkodër ka patur protesta apo organizime të tjera është njoftuar përmes deklaratave zyrtare për shtyp ndërsa në atë rast nuk ka patur një deklaratë të tillë. Madje drejtuesit dhe eksponentët e tjerë të PD-së Shkodër kanë deklaruar se ata janë munduar që të qetësojnë turmën e irrituar dhe për të ndalur çdo veprim të dhunshëm si dhe për të mos lejuar dëmtimin e shkollës “Shejnaze Juka” apo edhe për të ndaluar djegien e materialeve zgjedhore. Se deri kur do të zgjatet kjo dosje dhe cili do të jetë fati përfundimtar i saj, mbetet e paqartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat