Hetimet, kardiokirurgut Prifti pritet t'i shtohet dhe një procedim i hapur në vitin 2020

Shqipëria

Hetimet, kardiokirurgut Prifti pritet t'i shtohet dhe një procedim i hapur në vitin 2020

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 14:02
Edvin Prifti

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për kardiologun Edvin Prifti.

Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se në dosjen në ngarkim të kardiokirurgut, Edvin Prifti është shtuar dhe një denoncim i vitit 2020.

Gazetari Merin Maçi raporton se denoncimi është referuar nga të afërmit e një qytetari që kishte ndërruar jetë pas operacionit të kryer nga mjeku Edvin Prifti.

Familjaret e personit që fatkeqësisht ndërroi jetë, kanë kallëzuar doktorin duke thëne se kanë paguar para për të kryer operacionin.

Madje për këtë kallëzim ata kanë vënë në dispozicion dhe bisedat gjatë telefonatave me kardiokirurgun.

Dy ditë më parë Gjykata e Posaçme dha masën e sigurisë “arrest me burg” për kardiokirurgun e QSUT, Edvin Prifti pas kërkesës së Prokurorisë që e akuzon për pastrim parash.

Edvin Prifti doli në përgjime në kuadër të operacionit për arrestimin e gjyqtares Hoxha.

Prifti kishte komunikuar me sekretaren e Gjykatës Krujë, ku kjo e fundit i kërkonte favor për të asistuar në operacionin e nënës së saj.

Sakaq, në shtëpinë e mjekut Edvin Prifti, SPAK gjeti dhe sekuestroi një sasi të madhe parash cash, përfshirë 250 mijë euro dhe 160 mln lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat