Zbardhet debati në Kuvend për “Gratë në politikë”/ Ruçi përplaset me Alimadhin: Pse kompleksohesh kur të thonë se je…

Shqipëria

Zbardhet debati në Kuvend për “Gratë në politikë”/ Ruçi përplaset me Alimadhin: Pse kompleksohesh kur të thonë se je…

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 10:22
Gramoz Ruçi

Seanca e djeshme plenare është shoqëruar me debate në Kuvend. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, është përplasur me deputetin Adriatik Alimadhi. Debati nisi pas deklaratës së kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili iu drejtua deputetit Alimadhi se PS-ja mbështet gratë në politikë.

Ndërsa Kreu i Parlamentit po mbyllte seancën, ka ndërhyrë deputeti i Ballit Kombëtar dhe kërkoi fjalën për replikë. Kreu i Kuvendit i tha Alimadhit që nuk ka arsye për t’u mërzitur, pasi edhe vetë ai e ka etiketuar Kryeparlamentarin qindra herë si komunist dhe ai vazhdon të jetë i ulur në atë karrige.

Taulant Balla: Sa më shumë gra në politikë, aq më e mirë bëhet politika. Ju ballistët jeni kundra, unë si socialist do të doja që gjysma e kësaj salle të ishin gra. Keqardhje që PD-LSI nuk e kanë kuptuar ende që jetojmë në gjeneratën e forcës së grave në politikë.

Gramoz Ruçi: Këtu mbyllet debati për projektvendimin për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje.

Adriatik Alimadhi: Z. Ruçi, dua fjalën për replikë. Balla më përmendi, më tha ballist.

Gramoz Ruçi: A ka mundësi të mbaroj unë një herë? S’është sharje po the ballist. Pse je i kompleksuar, ti më ke thënë 100 herë komunist mua dhe ja ku jam. Që s’jam komunist. Ti je ballist edhe të vjen rëndë kur të them ballist. Ç’ke ore?

Adriatik Alimadhi: Nuk kompleksohem fare unë, por kërkoj fjalën për replikë.

Gramoz Ruçi: Pra këtu mbyllet projektvendimi për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill. Po çfarë replike ke akoma për ballistllëkun? Urdhëro!

Adriatik Alimadhi: Faleminderit z. Kryetar. Zoti Balla, në fakt ju u lëshuat të gjithë nga një diskutim që bëri kolegia Dhimitri. Nuk e shikoj as më shumë e as më pak të një mendësie që doni të poshtëroni të tjerët me mënyrën se si flasin. Pas asaj e mori fjalën zonja Kodheli, zonja Hysi, zonja Balluku, më pas e mori fjalën zoti Balla. Po pse ore ju do t’i mësoni kolegët deputetë se si duhet të flasin? Pra kjo është mendësia komuniste që juve iu trashëgoni, ju doni që të flasin kolegët deputetë siç flisni ju. Po lërini ore zotërinj të flasin, në fund të fundit opinioni publik, shoqëria shqiptare, do t’i dëgjojë ata dhe ajo le t’i bëjë dalje. Jo ju! Pra juve ju duket mendësinë, shoqërinë, institucionet gjithçka e doni ta poshtëroni mendjen njerëzore. Pse kështu? Zoti Balla, ne ballistët në fakt i duam gratë, por i duam t’i kemi në shtëpitë tona dhe nuk i duam t’i kemi nëpër male për ta kuptuar mirë ti këtë.

Gramoz Ruçi: T’i ndërpritet fjala Alimadhit. Z. Alimadhi tërhiqeni atë që thatë.

Adriatik Alimadhi (pa mikrofon): Jo, jo, nuk tërheq asgjë nga ajo çfarë thashë.

Gramoz Ruçi: Mirë pra rri aty, të është hequr fjala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat