​Rama: Nëse mbajmë këtë ekuilibër, nuk kemi nevojë të karantinohemi

Shqipëria

​Rama: Nëse mbajmë këtë ekuilibër, nuk kemi nevojë të karantinohemi

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se nëse mbajmë këtë ekuilibër të situatës së pandemisë nuk ka nevojë të karantinohemi.

Duke folur në një komunikim me mediat nga aeroporti “Nënë Tereza” ku mbërritën mbrëmjen e sotme 7020 doza të tjera të vaksinës “Pfizer”, Rama tha se, “ne besojmë që në kushtet që jemi sot për sot nëse mbajmë këtë ekuilibër nuk kemi nevojë të karantinohemi, për një mijë e një arsye që i kam dëgjuar me vëmendje edhe nga ekspertë tanë, por dhe nga të tjerë me të cilët komunikoj për të mësuar, dhe ndërkohë gjithnjë e më shumë po fiton terren shqetësimi i një tjetër pandemie që është pandemia psikike, që do të thotë i efekteve traumatike të gjithë kësaj kohe dhe gjithë këtyre shtrëngimeve, ndryshimeve dhe shqetësimeve tek psikika e kësaj dynjaje”.

“Dhe e treta, duhet të keni parasysh se kur Greqia u mbyll, ose kur një vend i BE u mbyll, ka një “konto” evropiane që përgjigjet. Janë të gjithë këta komponentë që duhen marrë në konsideratë, se është kollaj të themi hajde ta mbyllim, por pse do ta mbyllim? Për çfarë arsye? Nëse numrat qëndrojnë në ekuilibër, brenda parashikueshmërisë dhe nëse spitalet vazhdojnë shërbejnë brenda skenarëve të parashikuar, atëherë jeta duhet të vazhdojë me ato masa kufizuese që kemi përcaktuar, në mënyrë që njerëzit të marrin frymë, t’i kryejnë ndërveprimet e tyre sociale, të kufizuar por sidoqoftë t’i kryejnë, njerëzit të vazhdojnë të shkojnë në shkollë dhe prandaj arsyetimi i Komitetit tonë Teknik është tërësor, nuk është thjesht një arsyetim mekanik ‘hajde ta mbyllim’”, tha ai.

Po ashtu, Rama shtoi se, sigurisht nëse njerëzit nuk do të kufizohen, nuk do të vënë maskën kur dalin nga shtëpia, nuk do të respektojnë ato rregulla minimale, atëherë ora policore do shkojë duke u ulur dhe kufizimi do shkojë duke u rritur dhe, largqoftë, do të duhet të bëhet edhe një karantinim i përgjithshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat