Meta për çështjen e detit: S’pranoj cenimin e interesave kombëtare nga cilido që keqpërdor autoriteti!

Shqipëria

Meta për çështjen e detit: S’pranoj cenimin e interesave kombëtare nga cilido që keqpërdor autoriteti!

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 14:57
Foto

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti në një takim me kërkesë të tyre, aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të botës akademike, të angazhuar pranë Akademisë “Rrënjët tona”, të cilët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë, për delimitimin e zonave detare midis dy vendeve tona.

Duke shprehur mirëkuptimin për ndjeshmërinë e lartë të tyre dhe pasi i garantoi se do të vijojë të dëgjojë me vëmendje çdo zë të shoqërisë civile, Kreu i Shtetit i informoi të pranishmit në takim se:

“Kryeministri në detyrë, Edi Rama, nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare.”

Presidenti Meta, i informoi të pranishmit për të gjitha përpjekjet e tij për zgjidhjen e kësaj çështjeje shumë të rëndësishme në respekt të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nëpërmjet bashkëpunimit institucional.

“Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare midis dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe një analizë të plotë nga qeveria shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.

Kam qenë dhe mbetem bashkëpunues e transparent me Qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e tjera kushtetuese, në dobi të interesit kombëtar dhe të zbatimit rigoroz të Kushtetutës.

I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, se do të vijoj të ushtroj detyrat e mia me përgjegjësinë maksimale shtetërore e kushtetuese dhe se nuk do të pranoj për asnjë çast të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.

U rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë, që kanë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare.

Ata duhet të përmbushin në mënyrë rigoroze përgjegjësitë e tyre ligjore, në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë e kuadrit të brendshëm ligjor, në interes së ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial, juridiksionit kombëtar, garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”, – u shpreh ndër të tjera gjatë këtij takimi, Presidenti Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat