Denoncuan publikisht vdekjen e babait nga COVID-19, dy motra nën hetim pas akuzave ndaj mjekes

Shqipëria

Denoncuan publikisht vdekjen e babait nga COVID-19, dy motra nën hetim pas akuzave ndaj mjekes

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 18:05
Shqipëri

Në një kohë kur një mjek kardiokirurg i QSUT është vënë nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, në Spitalin Infektiv ka ndodhur e kundërta.

Dy motra, vajza të një pacienti që humbi jetën në këtë spital pak ditë më parë, janë vënë në ndjekje penale nga policia e Tiranës, pasi sipas uniformave blu ato përmes medias dhe rrjeteve sociale kane përhapur informacion të rremë për stafin mjekësor të këtij spitali e konkretisht mjekes Migena Qato.

Dy ditë më parë, pas vdekjes së 79-vjeçarit Rifat Lalo në Spitalin Infektiv, dy vajzat e tij denoncuan publikisht në media vdekjen e të atit, duke thënë se atij nuk i është dhënë shërbim në spital.

“Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë. Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte se nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilte, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe thoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty”, ishte shprehur vajza e të ndjerit Rifat Lalo.

Pas këtij denoncimi në media, ka reaguar menjëherë edhe spitali Universitar Nënë Tereza. Përmes një njoftimi për mediat, QSUT thotë se pacientit 79-vjeçar i është dhënë shërbimi sipas protokolleve.

“I është bërë skaneri ne orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi. Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës”, thuhet në reagimin e QSUT.

Pak këtyre deklaratave, reagimet në media dhe rrjetet sociale për mjeken Migeta Qato nuk ndalën. Së fundmi policia ka bërë me dije se ndaj dy motrave Adita dhe Ina Lalo ka nisur një procedim penal.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga policia.

Mjekja e spitalit Infektiv Migena Qato e kontaktuar nga Euronews Albania, për këtë zhvillim, refuzoi përfshirjen në një debat publik, duke thënë se do të mirëpresë çdo vendim që do të marrin autoritetet shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat