Dyfishimi i ndihmës ekonomike/ Gjata përplaset me Bushatin: Janë masa dëshpëruese elektorale

Shqipëria

Dyfishimi i ndihmës ekonomike/ Gjata përplaset me Bushatin: Janë masa dëshpëruese elektorale

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 07:01
Çlirim Gjata

Për të përballur pasojat sociale të shkaktuara nga Covid-19, qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash lehtësuese për qytetarët. Në mesin e masave të ndërmarra është dyfishimi i ndihmës ekonomike dhe leximi i matësave të energjisë elektrike njëherë në dy muaj.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, tha se qeveria është e fokusuar për të ndihmuar qytetarët në kohë pandemie.

“Ky ka qenë një vit i vështirë me Shqipërinë. Të gjitha masat janë për të minimizuar sadopak humbjen në njerëz, për të ndihmuar ekonominë, janë marrë masa me fokus qytetarin dhe shoqërinë shqiptare”, tha ai.

Deputeti socialist u shpreh në Euronews Albania se këto masa nuk kanë prapavijë elektorale.

“Nuk mund të thuhet se janë masa elektorale. Nuk ka prapavijë elektorale, kjo është puna jonë, kjo është bërë edhe para një viti dhe nuk kushtëzohet nga zgjedhjet”, theksoi Bushati.

Por, për Partinë Demokratike këto masa kanë interes elektoral. Këshilltari për Çështjet Ligjore në selinë blu, Çlirim Gjata nënvizon se këto lehtësira duheshin marrë një vit më parë dhe jo tani kur po afrojnë zgjedhjet e 25 prillit.

“Pse nuk i morën këto masa në mars para një viti, që të vinte njëherë në dy muaj lexuesi i matësave të energjisë. Një qeveri, e cila ka 8 vjet që qeveris, e cila vjen tani dhe nuk guxon të flasë dhe të bëjë një bilanc, sepse gjithçka e ka me minus. Ajo sulmon vetëm programin e PD. Kjo bëhet për efekt psikologjik. Kjo qeveria ka rritur çmimin e energjisë elektrike dhe të ujit, të gjithë paguajmë më shumë së në vitin 2013. Thjesht janë masa dëshpëruese elektorale”, tha Gjata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat