Specialisti jep alarmin: Në Lezhë po shkatërrohen pyjet

Shqipëria

Specialisti jep alarmin: Në Lezhë po shkatërrohen pyjet

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 16:21
Artan Palushi

Lezha është një ndër qytetet më të prekura nga moti i keq dhe përmbytjet e tokave bujqësore, rrëshqitjet e dherave dhe dëme të tjera gjatë reshjeve të shiut të javëve të fundit në këtë qytet nxorën në pah një problem serioz, përmbytjet nga përrenjtë malorë.

Kanë qenë këta të fundit shkaktarët e situatave problematike që nuk kursyen as varrezat e fshatit Markatomaj.

Ndërkohë ky fenomen sipas ekspertit Artan Palushi lidhet me një problematikë të vjetër.

“Një problematikë e theksuar është erozioni që vjen si rezultat i shpyllëzimeve. Duke qenë se nuk ka dru fare e gjithë zona kthehet në problem pasi vijojnë rrëshqitjet dhe vërshimi i ujërave. Në territorin tonë vijnë dhe ujëra nga bashkitë e tjera Mirdita apo Puka. Është një grumbullim i madh i përrenjve malorë dhe lumenjve, që duke u mbushur me ujë sjellin përmbytje”, tha Palushi.

Pastrimi nga inertet e pritave malore, ndërtimi i të rejave apo dhe disiplinimi i shtretërve të përrenjve është një emergjencë që sipas Palushit është zgjidhje momentale.

“Prita malore ka funksion për tu mbushur dhe nëse ti e pastron ajo do rimbushet prapë dhe në këtë mënyrë nuk ke zgjidhur ndonjë gjë. Ideja është që të fokusohemi tek pyllëzimet në mënyrë që të mbulojmë sipërfaqen e tokës. Duke u mbuluar sipërfaqja e tokës me drurë aty do zbutet intensiteti i reshjeve të shiut. Druri do kryejë funksionet e veta që ka thithjen e ujit, filtrimin dhe futjen në tokë në mënyrë natyrale”, sqaroi ai.

Eksperti mendon se bashkitë nuk kanë kapacitete financiare për të zgjidhur një problem të trashëguar 30 vjeçare.

Ndërhyrja duhet bërë përmes me projekteve të mëdha me fonde nga qeveria.

A ka zgjidhje të përhershme që përrenjtë mos përmbytin gjithçka ju del para?

“Nuk ka zgjidhje nëse nuk ndërhyhet për pyllëzimin e maleve, madje situata do të vijë duke u përkeqësuar”, tha ai.

Përrenjtë malorë janë shqetësim për banorët e zonën së Lezhës që shtrihen pranë malit në Troshan, Raboshtë, Torovicë, Manati, Spiten, Tresh dhe Pllanë.

Janë pikërisht përrenjtë malor që kanë ngritur pikëpyetjet e sigurisë nga përmbytjet në Lezhe, ndaj zgjidhja nga autoritet nuk duhet të vonojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat