Zbardhet marrëveshja e aleatëve me Bashën: Bashkohemi për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë

Shqipëria

Zbardhet marrëveshja e aleatëve me Bashën: Bashkohemi për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:50
Lulzim Basha

Zbardhet marrëveshja e firmosur nga partitë opozitare me Partinë Demokratike për krijimin e koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për ndryshim”.

Në marrëveshje thuhet se “ne po bashkohemi, si parti dhe si qytetarë, për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë”.

“Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë.

Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e fortë. Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama.

Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojmë angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët politike dhe prandaj:
Vendosëm që:

Të formojmë një koalicion për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021.

Në marrëveshje përcaktohet emri i koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, shkronjat nistore të koalicionit “PD-AN” dhe sigla e koalicionit. Gjithashtu thuhet se partia udhëheqëse e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Partitë aleate autorizojnë z.Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Po kështu autorizohet Ivi Kaso që:

Të paraqesë kërkesë për regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së.

Të përfaqësojë Koalicionin gjatë procedurës së shortit, në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit.

Të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin.

Termat konkrete të bashkëpunimit brenda koalicionit do të përcaktohen nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe të partive politike në përbërje të tij. Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit, sipas modelit të përcaktuar në aneksin e Udhëzimit nr.1 dt. 23.12.2020 të KQZ.

Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimi ne tyre sipas përkatësive partiake.

Kjo marrëveshje hyn në fuqi menjëherë ditën e nënshkrimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat