VOA: Meta kthen ligjin që zgjat koncensionin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar deri në vitin 2040

Shqipëria

VOA: Meta kthen ligjin që zgjat koncensionin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar deri në vitin 2040

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 19:22
Ilir Meta

Në Tiranë, Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin dhe kontratën shtesë për koncensionin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Zoti Meta tha për shtypin se ato ishin akte dhe procedura antikushtetuese dhe antiligjore.

Ndërsa ministria e infrastrukturës i tha "Zërit të Amerikës" se nuk kishte ndonjë koment për deklaratat e sotme të presidentit.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta deklaroi sot se ka vërejtur një seri shkeljesh kushtetuese dhe ligjore në ligjin për një shtesë në marrëveshjen e koncensionit për aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Presidenti Meta tha se shqyrtimi, vendimmarrja dhe procedura e ndjekur nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, për shtesën e koncesionit të Aeroportit “Nënë Tereza” u kryen në kundërshtim me të gjitha rregullat e shtetit shqiptar, në dëm të interesave të tij dhe të qytetarëve shqiptarë dhe për këto arsye, kjo Kontratë Shtesë Koncesionare është mbajtur e fshehur, larg syrit të publikut.

Qeveria e miratoi këtë ligj me një vendim në fund të janarit dhe pas pak ditësh e dërgoi në parlament, ku hyri në shqyrtim të komisioneve brenda ditës dhe u miratua pas pak ditësh.

Zoti Meta tha se kjo marrëveshje e bërë me kaq nxitim, në thelb zgjat, pa garë me 13 vjet afatin e koncesionit të Aeroportit të Rinasit - nga 22 vjet në 35 vjet.

“Ky ligj dhe marrëveshja shtesë koncesionare që ka miratuar, ka nivelin me të lartë të antikushtetutshmërisë dhe për të keq edhe të “korrupsionit legjislativ”, në qeveri dhe në Kuvendin tone njëpartiak” - tha zoti Meta.

Zoti Meta tha se kur kanë ngelur edhe 6 vite për të përfunduar kontrata e parë e koncesionit dhe qeveria pa asnjë lloj konkurrimi dhe pa transparencë i shton edhe 13 vite të tjera afat deri në vitin 2040.

Procedura e ndjekur dhe zgjatja e afatit të kontratës koncesionare është bërë pa garë, pa pritur përfundimin e afatit të koncesionit, që të hapej një garë transparente, - tha ai - dhe kjo shkel parimet kushtetuese të konkurencës së lirë, barazisë përpara ligjit.

Zoti Meta tha se këto hapa të reja bien në kundërshtim me vet kushtet e marrëveshjes bazë të koncesionit të lidhur në 2004, sepse realizohet një kontratë shtesë që përmban trajtim preferencial, klientelist.

Zgjatja e afatit të kontratës koncesionare, sipas tij, është bërë brenda një kohe rekord duke dhunuar të gjitha procedurat kushtetuese dhe ligjore.

Lidhur me deklaratat e sotme të presidentit Meta, "Zëri i Amerikës" iu drejtua ministrisë së infrastrukturës, e cila tha se nuk kishte ndonjë koment për to.

Ligji dhe shtesa e kontratës për koncensionin e Aeroportit Nënë Tereza ka hyrë tashmë në procedurat parlamentare dhe vitet e fundit ka ndodhur shpesh që ligjet e kthyera për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, shumica socialiste në parlament i rimiraton brenda pak kohe dhe ato hyjnë në fuqi.

Parlamenti dhe presidenti kanë prej mëse një viti marrëdhënie të ashpra mes tyre, ndërsa drejtuesit e shumicës socialiste e konsiderojnë zotin Meta si një protagonist i partive të opozitës, që përpiqet të fitojë simpatitë e opinionit publik në favor të partisë së tij, LSI, që themeloi vite më parë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat