Pas koalicionit me PD/ Agron Duka: PAA me kandidatë të mirëpërcaktuar në tri qarqe! Ja rezultati që parashikoj në Durrës

Shqipëria

Pas koalicionit me PD/ Agron Duka: PAA me kandidatë të mirëpërcaktuar në tri qarqe! Ja rezultati që parashikoj në Durrës

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 10:31
Agron Duka

Kryetari Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaroi pas firmosjes së marrëveshjes se partia që ai drejton do të ketë tre kandidatë të mirëpërcaktuar në listën finale për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa do të përfaqësohet në 12 qarqe.

Në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, Duka tha se ai do të jetë në një nga tri vendet e para në qarkun e Durrësit, ndërsa tha se do të sigurojnë rezultat 8 me 6 në favor të opozitës.

Duka, ju konkretizuat marrëveshjen e koalicionit me PD-në. Jeni i kënaqur nga ajo që arritët?

Marrëveshja përbën një konkretizim të bashkëpunimit tonë opozitar, si dhe një përpjekje për të tejkaluar kushtëzimin që na u imponua me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës. PAA do të jetë e përfaqësuar në listën e PD-së, ashtu si partitë e tjera të koalicionit, për të maksimizuar votën. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, opozita do të garojë me lista të përbashkëta në tri qarqe dhe me lista të ndryshme, për të mos humbur asnjë votë në qarqet e tjera.

Ne cilat qarqe do të ketë Partia Agrare Ambientaliste kandidatë? I keni gati ju emrat e kandidatëve, z. Duka?

Ne do të jemi të pranishëm në listat e të gjitha qarqeve, të cilat do të zyrtarizohen brenda datës pesë, megjithatë sot kemi një marrëveshje të firmosur, në të cilën 3 qarqe në veçanti do të kenë pozicione të mirëpërcaktuara në përputhje me peshën specifike të PAA-së. Ato janë Durrësi, Tirana dhe Fieri. Sigurisht që ne jemi një parti me burime njerëzore cilësore, sidomos nga pikëpamja e çështjeve që ne si PAA përfaqësojmë, dhe këto emra do të jenë të përfaqësuar në listën e përbashkët.

A jeni besimplotë se do t’i qëndroni kësaj marrëveshjeje deri në fund?

Me thënë të drejtën, paçka se ndër vite kemi pasur lëkundjet tona me aleatin kryesor në opozitë, e kam sigluar marrëveshjen pa e lexuar atë, pasi jam i bindjes se kemi arritur një mirëkuptim të tillë që na lejon të fokusohemi tek interesi i përbashkët dhe jo tek ai individual. Sot, konkretizimi i marrëveshjes na lejon të jemi edhe më pranë qytetarëve, të cilët po tregojnë padurim për të parë ndryshimin, sepse pakënaqësia ndaj qeverisë është e madhe dhe pritshmëritë për të ndryshuar faqe pas 8 vitesh janë edhe më të mëdha.

Z. Duka, sa deputetë synoni ju në qarkun e Durrësit së bashku me PD-në?

Qarku i Durrësit do të jetë një nga qarqet fituese për opozitën. Jam i bindur që qytetarët do të na japin përgjegjësinë për të qeverisur, duke na dhënë maxhorancën e deputetëve të këtij qarku, me një rezultat që unë parashikoj të jetë 8 me 6 në favor të opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat