Gjyqtarja që i hapi dyert e qelive të dënuarve të rrezikshëm, ILD rendit shkeljet dhe kërkon shkarkimin

Shqipëria

Gjyqtarja që i hapi dyert e qelive të dënuarve të rrezikshëm, ILD rendit shkeljet dhe kërkon shkarkimin

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 12:09
Enkeleida Hoxha

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë thotë se gjyqtarja e arrestuar Enkeleida Hoxha, ka dhënë vendime që i kanë hapur dyert e qelive të dënuarve të rrezikshëm me dashje direkte dhe me vullnet të plotë të saj.

Nga hetimi disiplinor i nisur që në korrik të vitit 2020, ILD thekson se “arrihet në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha me “dashje direkte”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është aktualisht në mbledhje duke diskutuar mbi kërkesën e ILD-së për shkarkimin e gjyqtares së arrestuar.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të administrojë provat e paraqitura nga ILD në këtë procedim disiplinor dhe të vendosë: “Pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates E.H., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç” dhe “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, thuhet në shkresën e ILD.

NOTE INFORMUESE

MBI KERKESEN E INSPEKTORIT TE LARTE TE DREJTESISE PER SHKARKIMIN NGA DETYRA TE GJYQTARES E.H.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur më datë 16.07.2020 fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë (pas publikimit në media të vrasjes së shtetasit H.B më 11.06.2020), ndaj magjistrates Enkeleida Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit displinor rezulton se nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me:

Mospërmbushjen e pajustifikuar të funksioneve gjatë gjykimit

Veprime dhe sjellje të magjistratit që ka sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin

Veprime dhe sjellje të magjistratit që ka sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin, si dhe në mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.

Mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal në dhënien e vendimit

Nxjerrja e akteve të paarsyetuara, në të gjitha ato raste kur ligji kërkon nxjerrjen e aktit në formë të arsyetuar.

Hetimi disiplinor i ILD ka analizuar 6 vendimmarrje të magjistrates E.H. nga viti 2017 deri në 2019, nga ku ka rezultuar se nga ana e saj janë zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njënashme dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat materiale dhe procedurale penale.

Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates në çështjet objekt hetimi, nuk janë kryer në kuadër të paaftësisë së saj profesionale, por si rezultat i një veprimi të drejtpërdrejt dhe të vullnetshëm nga ana e saj.

Nuk janë respektuar dispozitat penale me karakter urdhërues, të cilat parashikojnë kritere me karakter objektiv, ndalues dhe me një përmbajtje të drejtpërdrejtë dhe lehtësisht të kuptueshme për lirimin e të dënuarit, ku përvoja e gjatë profesionale në detyrë e magjistrates e lejon të interpretojë dhe zbatojë drejt këto dispozita;

Këto veprime/mosveprime të saj janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar në 5 procese gjyqësore me të njëjtin kërkues H.B. dhe në 1 proces tjetër me kërkues I.P.

Në këto kushte, arrihet në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha me “dashje direkte”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të administrojë provat e paraqitura nga ILD në këtë procedim disiplinor dhe të vendosë: “Pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates E.H., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç” dhe “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat