Takimet me ambasadoren Kim dhe çështja “Doshi”/ Kreu i KQZ-së tregon si do të veprohet nëse deputeti rikandidon në zgjedhje

Shqipëria

Takimet me ambasadoren Kim dhe çështja “Doshi”/ Kreu i KQZ-së tregon si do të veprohet nëse deputeti rikandidon në zgjedhje

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Shtetëror të Zgjedhje, kreu i këtij institucioni Ilirjan Celibashi u pyet edhe mbi çështjen “Doshi”. 

Pyetjes, nëse kandidon Tom Doshi cila do të jetë qasja, Celibashi iu përgjigj: “Për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me kandidatë të caktuar, do flasim kur ti kemi kandidatët. Nuk shoh arsye për diskutime hipotetike. Takimet me ambasadoren amerikane kanë qenë si me ambasadorët e tjerë, dhe nuk kanë pasur trajtime të veçanta për aspekte të veçanta të përgatitjes së këtij procesi. Do të duhet të presim datën 8. Ajo që mund të them me siguri të plotë është që KQZ do ketë gjithë vëmendjen ndaj çdo rasti të evidentuar publikisht ose jo, për të pasur një vendimmarrje në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor”.

Kujtojmë që PSD-ja pjesë e së cilës është edhe deputeti Tom Doshi, është regjistruar në zgjedhje me kryetar Engjëll Bejtajn, por nuk dihet ende se kush prej tyre do të garojë në zgjedhje.

Tom Doshi depozitoi më 9 shkurt kërkesën për regjistrim të PSD-së në zgjedhje, që u pa si “sfidë” ndaj ambasadës amerikane. Një ditë më herët Yuri Kim përmes një postimi në “Twitter” u rikujtonte qytetarëve vendimin e DASH që futi Doshin në “listën e zezë” duke theksuar se shqiptarët meritojnë më shumë.

KQZ kishte vënë në dijeni PSD-në të plotësonte dokumentacionin, pasi nuk kishte të përcaktuar emrin e kryetarit të partisë, duke i kërkuar ta ridërgonte si dokument. Në kërkesën e dytë rezultoi se kryetari “de juro” i PSD-së ishte Engjëll Bejtaj.

Megjithatë ende nuk dihet nëse nga partia e themeluar nga Skënder Gjinushi kandidati për deputet do të jetë sërish Tom Doshi. Kujtojmë që në reagimin e dytë të ambasadores amerikane Yuri Kim ajo shprehej se kishte marrë garancinë nga Edi Rama se Tom Doshi nuk do të ishte ministër në qeverinë e re.

“Në fakt, kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri që Rama do të formojë”, do të shkruante Yuri Kim në Twitter.

Muajit e fundit ambasadorja Yuri Kim ka rritur presionin mbi partitë politike, duke u kërkuar të filtrojnë listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që të shmangen personat me rekorde kriminale.

“Liderët e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse e kanë bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë sepse kërkohet nga ligji shqiptar dhe që pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së dhe është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, do të shprehej në një deklaratë Yuri Kim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat