Ndaloni Celibashin! Çmenduria me tenderat e KQZ-së, si po vidhen shqiptarët

Shqipëria

Ndaloni Celibashin! Çmenduria me tenderat e KQZ-së, si po vidhen shqiptarët

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 17:59
Ndaloni Celibashin

Ilirjan Celibashi u zgjodh në krye të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, organ i cili zëvëndësoi KQZ-në.

Ngritja e këtij institucioni për menaxhimin e zgjedhjeve në Shqipëri fillimisht u shoqërua me një shpresë se më në fund gjërat do të rregulloheshin dhe nuk do të funksionohej si KQZ-ja e mëparshme. Por, Celibashi, një Rilindas, duke qënë ministër i kabinetit të parë Rama, nuk mund të dilte nga kostumi i shokëve të grupit që kanë një uri të madhe kur bëhet fjalë për paratë e shqiptarëve.

Afrimi i zgjedhjeve ishte një mundësi ideale për të futur duart në xhepat e shqiptarëve, gjë që duket edhe nga intensiteti i lartë i tenderëve që po bën KQZ-ja sëfundmi.

Bëhet fjalë për miliarda lekë tenderë për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, të cilat me bekimin e Celibashit janë duke u fituar nga kompani thuajse me vlerën limit të përcaktuar po nga Celibashi dhe vartësit e tij.

Albeu.com ka verifikuar shtatë prej tenderave më të mëdhenj që ka organizuar KQZ-ja gjatë dy javëve të fundit, me vlerë rreth 500 milion lekë, të cilat janë fituar me 97 deri në 100% të vlerës limit të përcaktuar nga ky institucion.

Çfarë do të thotë kjo?
Kur një institucion kërkon oferta nga kontraktorët privatë, ai përcakton fillimisht një shumë limit të punës që duhet bërë. Sipas rregullave, asnjë privat nuk mund të kualifikohet nëse del mbi shumë limit.

Qëllimi është që kompanitë private të futen në garë me njëra-tjetrën dhe të kursehen para publike përmes uljes së çmimit me të cilin privati do ta bëjë punën apo ofrojë shërbimi.

Në këtë mënyrë, përmes nxitjes së konkurrencës mundësohet që puna të bëhet me sa më pak para dhe në mënyrë më cilësore.

Tenderët e KQZ-së
Mirëpo, kjo gjë e shpjeguar më sipër nuk vlen për KQZ-në, pasi Ilirjan Celibashi në krye të saj po firmos si fitues kompani që marrin tendërë pa garë fare. Ka dyshime të forta se edhe gara në tenderë që duket sikur ka garë, është fiktive pasi kompanitë skualifikohen për shembull për mosplotësim dokumentacioni.

Le ti marrim me radhe
Tenderi nr.1 Sistem i integruar i menaxhimit te informacionit zgjedhor (IEMIS).

Kompania fituese në këtë tender me fond limit 13,280,000.00 Lekë është shpallur duke ofruar 13,120,000 lekë ose gati 99 për qind të fondit limit.

Praktikisht këtu nuk ka patur garë dhe Celibashi e ka bekuar këtë tender.

Tenderi nr.2: Prodhim procesverbale me leter kimike dhe zarfa sigurie. Nr Reference: REF-84147-01-16-2021

Kompania fituese është shpallur si e tillë në këtë tender pasi ofroi 20,199,150.00 Lekë për të kryer punën ndërkohë që fondi limit i përcaktuar nga KQZ-ja e drejtuar prej Celibashit ishte 20,257,582.00 Lekë.
Nga një përllogaritje e thjeshtë del se kompania është shpallur fituese duke ofruar të bëjë punën me 99.7 për qind të fondit limit.
Edhe këtu nuk ka patur garë, por Celibashi e ka bekuar sërish tenderin.
Tenderi nr.3: Blerje vula (kode) sigurie, me numër reference REF-84302-01-19-2021

Kompania u shpall fituese e këtij tenderi me fond limit 17,472,500.00 Lekë duke u treguar e gatshme për të kryer punën kundrejt 17,372,485.00 lekëve.

Praktikisht, referuar të dhënave zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, Celibashi e ka bekuar këtë tender edhe pse kompania ka ofruar të bëjë punën me 99.4 për qind të fondit limit.

Edhe në këtë tender duket qartë që nuk ka patur garë.

KQZ është duke kryer mjaft tenderë të ngjashëm me shifra të frikshme dhe që duket qartë se janë futur duart në xhepat e shqiptarëve.
Albeu.com shpjegoi tre prej tyre, ndërkohë që në galerinë e mësipërme mund të shihni edhe disa raste të tjera skandaloze. Të tjera do të publikohen në vijim deri sa t’i vihet fre babëzisë me fondet publike.

Ndërkombëtarët mbështeten mjaft ngritjen e institucioneve të reja si KQZ, por institucionet i bëjnë njerëzit dhe këta njerëz nuk mund të heqin dorë nga huqet e mëparshme. E tregojnë tenderat vetë….

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat