KQZ drejt dakordësisë për fletën e votimit, flasin dy anëtarët e mazhorancës dhe opozitës

Shqipëria

KQZ drejt dakordësisë për fletën e votimit, flasin dy anëtarët e mazhorancës dhe opozitës

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 13:25
Foto ilustrim

Komisioni Rregullator në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve miratoi dje specifikimet teknike të fletës së votimit të propozuara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në pikën dy të vendimit thuhet se fleta mund të ndryshojë përmasat në varësi të listave shumemërorë në çdo zonë zgjedhore. Vendimet janë marrë me shumicë votash të pesë anëtarëve të Komisionit Rregullator. Ndërkohë, duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është drejt dakordësisë edhe për përmbajtjen e fletës së votimit. Shumica në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkon që fleta e votimit në datën 25 prill poshtë logos së subjektit zgjedhor të kenë kandidatët të identifikuar me emrin dhe mbiemrin e tyre dhe jo me numra.

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, anëtarja e propozuar nga PD-ja në KQZ shprehet se identifikimi i kandidatëve me numra është diskriminues dhe nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor. “Në lexim të Kodit çdo kandidat identifikohet me emër e mbiemër dhe i tillë edhe regjistrohet. Pra, kandidati nuk mund të regjistrohet në KQZ si ‘numër’. Në këtë logjikë as mund të identifikohet si numër e as të ulet në Kuvend e të thirret si ‘numër’ në sallë?! Risia e Kodit për votën preferenciale kërkon listë me emra dhe të identifikueshëm nominalisht. Vetëm kështu identiteti i tyre mund të dëshmojë për integritetin e tyre dhe votëbesimin!

Ne logjikën e numrave, ligjvënësi do ta kishte të lehtë të krijonte edhe mundësinë e matrikullimit me numra të caktuar të kandidateve, duke gjetur formula konkrete në Kod, por për hir të së vërtetës, nuk e ka bërë këtë, pasi bie ndesh me parimet e identifikimit parësor të individit si shtetas e më pas të identifikimit individual (në këtë rast i cilësuar) të vetë kandidatit, i cili në kuadër edhe të risisë se votës preferenciale medoemos duhet t’i shfaqet votuesit me identitetin e tij civil, pasi në të kundërt edhe votës preferenciale do t’i humbiste sensi dhe do të kishim diskriminim pozitiv në favor të numrit 1. Fleta me numra është diskriminuese dhe jo e parashikuar nga Kodi”, tha znj. Vukaj.

DAKORDËSIA

Sakaq, ndonëse me doza skepticizmi, edhe i propozuari nga maxhoranca në Komisionin Rregullator, Arens Çela, në një prononcim për gazetën “Panorama” u shpreh se parimisht mbështet idenë në fletën e votimit kandidatët e partive përkatëse të identifikohen me emra dhe jo me numra.

Sipas Çelës, problematik është qarku i Tiranës, duke qenë se ka disa kandidat të pavarur që do t’i shtohen kolonës horizontale ku janë subjektet politike. “Në parim unë mendoj se fleta e votimit që duhet të caktojmë të përmbajë edhe emrat e kandidatëve. Kjo edhe për efekt memorieje. Duke qenë se në këto zgjedhje do të ketë listë të hapur dhe qytetarët përveç subjektit politik, do të duhet të votojnë edhe kandidatin e preferuar, atëherë identifikimi i kandidatit me emër dhe mbiemër dhe jo me numër do ta lehtësonte vendimin e votuesit.

Komisioni Rregullator në mbledhjet e punës që ka bërë në fakt e ka diskutuar këtë dhe mund të themi se ka një lloj konsensusi për emra. Por ajo që mbetet për t’u diskutuar edhe pas regjistrimit të kandidatëve është për qarkun e Tiranës. Rasti i Tiranës gjithmonë është unikal, sepse janë edhe subjektet e tjera përveç koalicioneve, janë edhe kandidatët e pavarur që janë 4 deri tani, qe nëse mbledhin firmat e nevojshme, do të jenë edhe ata në Tiranë. Ndërsa në rrethe situata paraqitet më e lehtë”, u shpreh Çela.

Ndërkohë, burime për gazetën “Panorama” bënë me dije se edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mbështet idenë që fleta e votimit të përmbajë emrat e kandidatëve. Prej disa javësh Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka publikuar 5 modele të fletëve të votimit. Ajo që duket se do të gjejë konsensusin është që në pjesën e sipërme në kolonë horizontale të vendosen logot e partive politike ose koalicioneve, ndërsa poshtë secilit subjekt të vendosen emrat e kandidatëve sipas çdo qarku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat