Guri i rëndë peshon në vend të vet

Shqipëria

Guri i rëndë peshon në vend të vet

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 14:33
Foto ilustruese

“Ja u ktheva, po tani?” Kjo është një nga pyetjet me të cilën përballën shumë të rinjtë, që kthehen në Shqipëri pas studimeve.

Ajla M. është një profesoreshë e Jogës, në qytetin e Tiranës. Prej katër vitesh, ajo ka studiuar Arkitekturë në Universitetin Teknik të Stambollit (ITU).

“Të studiuarit arkitekturë ka qenë ëndrra ime që kur isha12 vjeç. Nuk e mendoja kurrë që mund të isha një profesorë e jogës me diplomë arkitekture”, tregon me shaka Ajla.

Në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, ajo ka përfituar një bursë studimi për në ITU, edhe pse jo një nxënëse ekselente.

Shqipëria është renditur në radhët e para në botë, për numrin e lartë të emigrimit të të rinjve, sipas një studimi të kryer nga drejtuesi i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, Ilir Gëdeshi.

Shqipëria ka rreth 25 mijë studentë që studiojnë jashtë. Ku 94% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen në afat të shkurtër ose të mesme në Shqipëri.

Emiljo K. është përfitues i bursës nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), në vitin 2017. Zgjodhi të studionte në degën e Inxhinierisë Elektronike, nga pasioni që kishte për teknologjinë.

Vitin e fundit të shkollës ai po e zhvillon në platformën online, ndërkohë që ndodhet në Shqipëri.

“Kur m’u ofrua kjo mundësi studimi në Turqi, nuk e mendova dy herë. Familja ime ishte shumë optimiste ndaj kësaj mundësie sa më kanë mbështetur shumë në procedurat e aplikimit”, shpjegon Emiljo.

I pyetur, Emiljo shprehet se dëshiron të kthehet sërish në Stamboll për të gjetur një mundësi punësimi atje.

Ajo çka bursa përfshin, është tarifa e shkollimit, si dhe qëndrimi në kampusin përkatës.

Gjithashtu, të rinjve u është mbuluar dhe kostoja e udhëtimit gjatë periudhës së karantinës, ku studentët shqiptarë janë kthyer në atdhe.

Gëdeshi, në një intervistë për media, është shprehur se nga Shqipëria dalin çdo vit dhjetëra milionë euro për të financuar studimin e të rinjve shqiptarë.

“Kjo nuk kthehet në atdhe me kapitalin human nesër, që do të thotë se ka një varfërim të vendit nga pikëpamja humane dhe financiare”.

Sipas rregullores së MASR-ës, çdo i ri që është përfitues i bursës së studimit në një vend të huaj, e ka të detyruar të kthehet në atdhe, pas përfundimit të studimeve të larta.

Gjithashtu, ai duhet të qëndroje në shtetin amtar deri në një vit, pas përfundimit të studimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat