Kryemadhi: Do mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panele diellore! Do ulim koston e karburantit me 20%

Shqipëria

Kryemadhi: Do mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panele diellore! Do ulim koston e karburantit me 20%

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 09:08
Monika Kryemadhi

Ndërsa na ndajnë më pak se 2 muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi vijon premtimet elektorale, ndërsa këto të sotmet ngjajnë me ato të kreut demokrat Lulzim Basha. Kryemadhi ka theksuar se do të mbështesë energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak.

“Shqiptarët jetojnë në një vend të bukur dhe të bekuar nga Zoti, me malet fisnike, me fushat, detin e ajrin si askush tjetër. Por keqshfrytëzimi dhe papërgjegjshmëria e kanë ndotur mjedisin duke e bërë shpesh të rrezikshëm për jetën e njerëzve dhe një mundësi të munguar për turizmin. Ne do të mbrojmë dhe kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja e nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm. Ne do të mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak”, tha Kryemadhi.

Në vazhdën e premtimeve ajo thekson se do reformojmë standartet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, si dhe do të ulë koston e karburantit me rreth 20%, duke hequr taksën e qarkullimit.

“Do të reformojmë standartet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, që t’i bëjmë ndërtesat më të sigurta dhe më pak të kushtueshme për shqiptarët. Do të vendosim një kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve dhe do të realizojmë një ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit. Ne e mbajmë fjalën”, shtoi ajo.

Në një takim me bizneset në Durrës Basha ka premtuar se do subvencionojë energjinë diellore.

"U bëra të qartë sipërmarrësve dhe specialistëve të pranishëm se ne do të lehtësojmë taksat mbi prodhimin e paneleve diellore dhe do të taksojmë importin e paneleve të gatshme që vijnë nga jashtë. Jo vetëm kaq, por do të subvencionojmë eksportin e tyre. Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe burimet për t’u bërë eksportuese dhe vend lider në energjinë e rinovueshme në rajon", tha Basha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat