Integrimi i Shqipërisë/ Varhelyi: Janë përmbushur të gjitha kriteret për Konferencën e Parë Ndërqeveritare

Shqipëria

Integrimi i Shqipërisë/ Varhelyi: Janë përmbushur të gjitha kriteret për Konferencën e Parë Ndërqeveritare

Më: 1 mars 2021 Në ora: 16:05
Olivér Várhelyi

Gjatë konferencës së përbashkët për media krah Edi Ramës dhe Josep Borrell-it, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Olivér Várhelyi tha se me bërjen funksionale të gjykatave Shqipëria i ka përmbushur kriteret për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, që do të varet tani nga shtetet anëtare të BE-së.

“Dua të përsëris edhe atë që është thënë në këtë vlerësim të përbashkët që në procesin e vettingut, meqënëse ai po ecën fuqishëm, me Gjykatën Kushtetuese, me Gjykatën e Lartë po ashtu tashmë kemi arritur pra aty ku duhet. Kështu që nga ana jonë vlerësimi që ne po u japim shteteve anëtare të BE-së është që gjithçka është përmbushur tashmë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, pra të gjitha kriteret”, tha Varhelyi.

Ky i fundit theksoi se procesi i integrimit bazohet mbi merita. “Ky proces bazohet te merita. Konstatimi ynë është që Shqipëria i ka përmbushur kushtet. Do jemi në kontakt me shtetet anëtarë që ata të bien dakord që kjo konferencë të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Më herët Borrell u shpreh se nuk ka ende një datë për Konferencën Ndërqeveritare, por shpreson se së shpejti do të jetë e mundur.

Në një linjë ishte edhe përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme në BE, Josep Borrell, i cili tha se: “Kemi shprehur dëshirën që kjo konferencë të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur, deri më tani nuk kemi një datë të caktuar. Disa shtete anëtare janë të mendimit që duhet të avancohet më shumë para së të organizohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat