Basha akuzon Ramën për rindërtimin: Lëvizja e qytetarëve nga pronat e tyre skemë vjedhjeje

Shqipëria

Basha akuzon Ramën për rindërtimin: Lëvizja e qytetarëve nga pronat e tyre skemë vjedhjeje

Më: 4 mars 2021 Në ora: 12:32
Lulzim Basha

Lideri i opozitës Lulzim Basha e quan procesin e rindërtimit të banesave të prekura nga tërmeti, një skemë abuzimi nga oligarkët.

Gjatë takimeve  me banorë dhe përfaqësues të biznesit të vogël  në zonën e kombinatit në Tiranë ai tha se edhe zhvendosja e banesave nga trojet ekzistuese, është skemë grabitëse.

“Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit, si një mundësi për të mbushur xhepat e tyre. 25 prilli është një ditë fitoreje edhe për familjet e goditura nga tërmeti,” tha Basha.

Basha premtoi një plan të posaçëm ndihme edhe për personat që kanë kaluar covidin, pasi situata e pandemisë është jashtë kontrollit.

“Po nuk është detyra juaj, është detyra e shtetit t’ju ndihmojë dhe unë ju garantoj që pas 25 prillit do keni një shtet dhe një qeveri që do ndihmojë njerëzit. Nuk ka mrekulli, por të paktën do ketë normalitet,” shtoi Basha.

Duke e konsideruar biznesin  shtyllën kurrizore të ekonomisë, lideri demokrat shpalosi platformën e Partisë Demokratike.

“Ne kemi rënë dakord për një plan, i cili do t’i japë fund kalvarit të vuajtjeve tuaja morale dhe financiare. Ne  do t’ju japim siguri edhe mundësi të jetoni me mirëqenie dhe dinjitet,” tha ai.

Korrupsioni dhe keqqeverisja aktuale  duhet të marrin fund më 25 prill ,ndaj Basha bën thirrje për bashkim në rrëzimin e qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat