‘8 vjet, 180 mijë të rinj të larguar’/ Vokshi-rinisë: Rama ju përbuz

Shqipëria

‘8 vjet, 180 mijë të rinj të larguar’/ Vokshi-rinisë: Rama ju përbuz

Më: 4 mars 2021 Në ora: 14:23
Albana Vokshi

Të rinjtë në Laprakë i janë bashkuar Partisë Demokratike, duke e parë atë si forcën politike që do të sjellë ndryshimin, për të siguruar një të ardhme të mirë në vend.

Në një mjedis të jashtëm, duke respektuar rregullat e pandemisë, të rinjtë biseduan me koordinatoren e PD, Albana Vokshi, e cila kërkoi angazhimin e plotë të tyre në këtë fushatë, si mënyra më e mirë për të sjellë shpresë dhe besim tek qytetarët.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte ajo e largimit të të rinjve nga vendi gjatë këtyre 8 viteve.

‘Në 8 vite, 180 mijë të rinj janë larguar, sepse e vetmja alternativa që u jepte Edi Rama ishte mungesa e arsimit, mungesa e punësimit. Praktikisht e braktisi rininë. Praktikisht ju la në baltë. Pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare e la në baltë. Ju largoi ju që të fusë trafikantin e drogës dhe të qenieve njerëzore, vrasësin, kriminelin. Çfarë ju dha juve të rinjve në këto 8 vite? A është ndonjëri prej jush i punësuar në këto 8 vite? Sigurisht që jo. Ju la pa punë, ju la rrugëve, që ju të ikni.’- tha zonja Vokshi.

Albana Vokshi vuri në dukje se gjatë këtyre 8 viteve, vendi nuk ka bërë përpara në asnjë drejtim, as në ekonomi, arsim, shëndetësi, ndërsa vendet fqinje kanë përparuar.

Vokshi shpjegoi se kjo ndodhi për shkak të mashtrimeve të Edi Ramës, i cili premtoi shëndetësi falas, por shkatërroi, premtoi 300 mijë vende pune, por i mbylli dhe largoi rininë, që premtoi uljen e taksave, por i rriti dhe i vodhi.

‘Nuk duhet të mbajmë këtë njeri edhe 4 vite të tjera, tani që ka filluar të riciklojë të njëjtat premtime si para 8 vitesh. Të rinjtë nuk do t’ia japin këtë mundësi këtij kryeministri mashtrues.’ – theksoi Vokshi.

Drejtuesja politike e PD, Albana Vokshi vuri në dukje se fenomenit shkatërrues të largimit të rinisë dhe vendit duhet t’i jepet fund me zgjedhjen e një qeverie të përgjegjshme, që ka prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve. 

 ‘Jam e sigurtë se jo vetëm ju që jeni këtu, por të gjithë të rinjtë nuk do t’i besojnë me as edhe një sekondë Edi Ramës si kryeministër. Në datën 25, me votën tuaj do të votoni një qeverisje që do të jetë e përgjegjshme. Do të votoni alternativën për rininë, që është alternativa e Partisë Demokratike, me kryeministër Lulzim Bashën, që ka vizionin dhe vullnetin për mbështetjen e rinisë’- tha Albana Vokshi.

Vokshi i njohu të rinjtë me detaje nga programi për arsimin dhe punësimin të PD, i cili i mbështet ata me bursa gjithë kohën dhe me stazh të paguar pas mbarimit të saj. ‘Nuk do të varet studimi juaj nga xhepi i prindërve, por thjesht nga vullneti juaj për të mësuar. Ju jeni një fokus të programit të PD, sepse ju jeni energjia dhe forca për të bërë këtë ndryshim në 25 prill.’

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat