VOA: 20 vdekje nga epidemia Covid dhe qindra gjobitje për maskat

Shqipëria

VOA: 20 vdekje nga epidemia Covid dhe qindra gjobitje për maskat

Më: 4 mars 2021 Në ora: 21:36
Shqipëri

Autoritetet shëndetësore bënë sot të ditur edhe 20 vdekje të tjera dhe 847 infektime rishtas nga COVID-19 në 24 orët e fundit. Ky është ritmi mesatar i vdekjeve qysh nga mesi i shkurtit.

Qytetet më shumë të prekura janë Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Fieri, por virusi është i pranishëm në pothuaj gjithë territorin e Shqipërisë.

Në spitalet e kryeqytetit dhe ato rajonale po mjekohen 609 pacientë, nga të cilët 43 nën terapi intensive, mes tyre 10 pacientë të intubuar.

Në afro 12 muaj në Shqipëri janë infektuar mbi 110 mijë persona, nga të cilët humbën jetën 1 mijë e 876 vetë.

Mjekët dhe zyrtarët po i bëjnë thirrje qytetarëve të zbatojnë masat mbrojtëse ndaj Covid-it, distancimin dhe higjenën, maskat dhe grumbullimet.

Ndërsa policia dhe inspektorët gjobitën së fundi 1 mijë e 672 qytetarë pa maska mbrojtëse dhe disa të tjerë, që lëviznin jashtë orareve të lejuara të qarkullimit.

Pjesa më e madhe e gjobave janë 30 dollarë për mungesën e maskës mbrojtëse, udhëtarë pa maska në automjete private dhe publike, ndërsa gjoba 100 dollarë për qytetarë që qarkulluan pas orës 8 të mbrëmjes.

Komiteti Teknik ka vendosur ndalimin e lëvizjeve për 10 orë gjatë mbrëmjes, mbylljen e shkollave të mesme dhe të larta, studimin online në to, si dhe mësim me turne në shkolla 9-vjecare.

Një seri kufizimesh janë vendosur edhe për njësitë tregtare, lokalet dhe restorantet, që të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, për të parandaluar përhapjen e COVID-19./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat