Manjani thirrje votuesve: Po nuk zgjodhët partinë, e keni çuar votën dëm

Shqipëria

Manjani thirrje votuesve: Po nuk zgjodhët partinë, e keni çuar votën dëm

Më: 4 mars 2021 Në ora: 22:27
Ylli Manjani

Sondazhi i MRB, i prezantuar në Euronews Albania tregoi se për 27 për qind e të pyeturve nëse do të votonin partinë apo kandidatin në zgjedhjet e 25 prillit, kishte më shumë rëndësi kandidati, teksa për 73 për qind më e rëndësishme ishte partia.

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se në këtë pikë ka nevojë për edukatë elektorale ndaj zgjedhësve, në të kundërt shumë njerëz mund ta çojnë votën dëm.

Ai këshilloi që votuesit të tregoheshin të kujdesshëm me fletën e votimit, duke zgjedhur në mënyrë të sigurt njërin nga subjektet politike dhe më tej, në mënyrë preferenciale njërin nga kandidatët.

“Sistemi ynë është proporcional partiak, pra po nuk zgjodhët një parti e keni çuar votën dëm.

Çfarë kulture duhet të japim është që zgjedhësit duhet të kuptojnë se nëse zgjedhin vetëm kandidatin dhe jo edhe partinë e çojnë votën dëm.

Është edhe skenar tjetër, që nëse fleta e votimit do ketë emra dhe ata zgjedhin një emër dhe jo një parti, votën e tyre do ta vendosë një komision.

E vetmja mënyrë që vota të jetë e vlefshme është të zgjidhet një parti, dhe nëse duan më tej të zgjedhin edhe një kandidat”, shpjegoi z. Manjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat