Andi Bushati: Edi Rama u trembet më shumë të vetëve

Shqipëria

Andi Bushati: Edi Rama u trembet më shumë të vetëve

Më: 5 mars 2021 Në ora: 14:34
Andi Bushati

Analisti Andi Bushati, në një koment të publikuar në media, shkruan se Edi Rama më shumë ua ka frikën njerëzve të tij.

“Nëse do të kuptosh atë që Edi Rama ka vërtet frikë, atëherë duhet të lexosh mes rreshtave të fjalimeve të tij. Duke hapur “de facto” fushatën, me një one-man-show që i dedikohej kërcënimit të “arritjeve” të reformës në drejtësi nga një fitore e mundshme e opozitës, ai u përpoq të ndërgjegjësonte ata, që për inat të qeverisë, mund të shkojnë në shtratin e armikut, apo që për inatin ndaj tij, mund të mos dalin fare në zgjedhje.

Pra, ashtu sikurse e ka paralajmëruar që në fjalimin e tij në Labinot, shefi i rilindjes, që është një lexues frenetik sondazhesh, më shumë se gjithçkaje i trembet abstenimit të socialistëve dhe votës së protestës së shtresës gri,” shkruan Bushati.

Sipas tij, Rama druhet se këto zgjedhje do jenë një votë kundër qeverisë.

“Sado që kundërshtarët dhe kritikët e tij shpesh e paraqesin si një delirant të arratisur nga realiteti, Edi Rama po dëshmon se është i ndërgjegjshëm për thembrën e vet të Akilit. Ai e ka kuptuar se kyçi i këtyre zgjedhjeve nuk gjendet tek një opozitë e dobët dhe e paaftë të frymëzojë, por te vota kundër, tek inati i akumuluar me pushtetin, tek mbingopja me njeriun e kudogjendshëm, që e shohin prej dy mandatesh në kryeministri, apo që e paguajnë pa ndërprerje me paratë e tyre, që nga ajo ditë e largët e 23 viteve më parë kur hyri në politikë për të mos iu shkulur më kurrë posteve publike (ministër, kryebashkiak, kryeministër),” shkruan Bushati.

“25 prilli rrezikon të jetë dita e ndëshkimit para asaj të shpresës, raporti me të tashmen para atij me të ardhmen, çasti i çmontimit dhe jo i ndërtimit, akti i revanshit dhe jo urtësia e reflektimit. Pikërisht këtij fenomeni, që lidhet sa me të sotmen po aq dhe me traditën e afërt, i trembet Edi Rama.  Ai nuk ka frikë as opozitën dhe as rivalët direkt. Ai më shumë u trembet të tijve. Ai tutet nga të majtët që ka zhgënjyer dhe nga shtresa gri që ka shkelur me këmbë. Sot ai ndihet i tradhtuar nga ata që ka shpërfillur dhe harruar. Prandaj tani po u përgjërohet që ta hedhin pas krahëve inatin me të dhe me qeverinë, kur t’u drejtohen kutive të votimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat