Pandemia ktheu tregtinë, online/ Por tregu është jashtë kontrollit dhe shumica në ilegalitet

Shqipëria

Pandemia ktheu tregtinë, online/ Por tregu është jashtë kontrollit dhe shumica në ilegalitet

Më: 6 mars 2021 Në ora: 20:02
Gent Beqiri

Pandemia Covid-19 nxiti së tepërmi përdorimin e tregtisë online në vend, një formë e të bërit biznes lehtësisht përmes rrjeteve të ndryshme sociale.

Kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm ekonomia informale, pasi individët që ushtrojnë një aktivitet të tillë në të shumtën e rasteve nuk paguajnë asnjë taksë ndaj shtetit.

Eksperti për ekonominë, Gent Beqiri, shpjegon se Ministria e Financave duhet të rregullojë sa më parë këtë aktivitet me ligj, pasi evazioni që bëhet përmes këtij kanali është i madh dhe humbjet për buxhetin të konsiderueshme.

“Të gjithë ata që bëjnë tregti online duhet të regjistrohen tamam si një shitës si një tregtar që ka një dyqan fizik. Ministria e Ekonomisë këtë duhet ta ketë në vëmendje, sepse është çështje evazioni, është çështje e tregtisë së ndershme. Duhet patjetër kuadri rregullator, është i vonuar. Ky është një trend që do vazhdojë jo vetëm për këtë vit, por do vazhdojë përtej pandemisë. Njerëzit tani kanë filluar të lëvizin nga blerjet në dyqane në blerjet online. Kjo është diçka që duhet parë nga ministria përkatëse.”

Por, përveç konkurrencës së pandershme, problematike sipas Beqirit është edhe dëmtimi konsumatorit, pasi mungesa e një kuadri rregullator nxit abuzimet ndaj tyre dhe shmang përgjegjësitë për këto individë që shesin online.

“Në disa raste ka mungesë të transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit për blerjet që bëhen online. Nësë konsumatori ka probleme me mallin produktin nuk ka kujt t’i drejtohet. Ai që shet nuk të përgjigjet dhe nuk ke mundësi ta kontrollo. Kjo duhet parë me shumë vëmenjde, Ministria i ka të gjithë elementët për ta bërë të mundur.”

Shitjet online ashtu si në botë, edhe në vendin tonë kanë marrë një zhvillim të madh dhe shihen si një mënyrë e mirë për të gjeneruar të ardhura kryesisht nga të rinjtë, ku edhe papunësia është më e lartë.

Sipas të dhënave të fundit të Instat, niveli i papunësisë të grupmoshat e reja arriti në 20.7% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat