Të largohet brezi i politikanëve që e mbajtën peng 30 vjet tranzicionin në Shqipëri

Shqipëria

Të largohet brezi i politikanëve që e mbajtën peng 30 vjet tranzicionin në Shqipëri

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 8 mars 2021 Në ora: 10:11
Skënder S. Kapiti

Me 25 Prill 2021 nëse nuk largohet brezi i politikanëve të cilët janë në politikë prej 30 vitesh, qofshin ata rrolat e vjetër si Sali Berisha, Gramoz Ruci, Tritan Shehu etj., por edhe ata që akoma nuk e kanë mbushur moshën e pensionit si Rama, Majko, Meta, Brace, Shehi, Noka, Mediu, Duka, Idrizi etj., Shqipëria nuk do të mund të dalë nga rruga dështake e tranzicionit.

Kjo kastë politikanëh tashmë janë stërkonsumuar dhe askush nuk ka besim se mundet që këta ta bëjnë ndryshimin. Kjo kastë politikanësh tashmë është establishmenti apo elita e vjetër dështake e cila e ka mbajtur peng tranzicionin në Shqipëri; kjo kastë politike është autorja e  paqëndrueshmërisë politike, moszhvillimit, mosprogresit demokratik,ekonomik e juridik  dhe mosintegrimin e Shqipërisë.

Këta dhe ky soj politikanëesh janë ata të cilët penguan demokracinë dhe në shumë raste prej tyre edhe u rrënua shteti, ligji, drejtësia dhe e bllokuan integrimin e Shqipërisë ne BE.

Demokracia në Shqipëri është kapur dhe është marrë peng nga krimi, korrupsioni, hajdutëria, tradhtia dhe nepotizmi fisnor, krahinor e klanor dhe nga pluropartitizmi fallco, ku mbi 90% e partive politike në Shqipëri kanë vetëm kryetar partie dhe nuk kanë antarë.

Shumica dërrmuese e partive politike shqiptare duhet të dalin jashtëligjit, dhe të vendoset një prag elektoral prej 1%, dhe në këtë mënyrë shkrihen ato, dhe automatikisht largohen nga politika kryetarët e tyre, këto vemje politike parazitare që kanë 30 vite vetëm sa marrin paranë e shtetit dhe që vetëm sa turbullojnë, pengojnë, grabisin, korruptojnë dhe e shfrytëzojnë karrigen e deputetllëkut dhe të pushtetit  për vetëm përfitime, korrupsione dhe allishverishe personale e familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat