Rama: Pa emigracionin masiv, Shqipëria do të ishte një i vdekur klinik në mes të Europës

Shqipëria

Rama: Pa emigracionin masiv, Shqipëria do të ishte një i vdekur klinik në mes të Europës

Më: 8 mars 2021 Në ora: 11:33
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ndërsa foli për emigracionin dhe akuzat e opozitës se nga vendi po ikin gjithnjë e më shumë qytetar, tha se trendet e ikjeve kanë qenë dhe do të vazhdojnë gjithmonë.

Në konferencën online, “Rruga drejt 25 prillit”, Rama përmendi regjimin komunist, ku theksoi se efekti i kundërt i atyre 45 viteve, nuk mund të mos ishte aq ekstrem sa tkurrja e madhe e popullsisë. 

“Prej tre dekadash, më shumë kemi ikur se sa jemi kthyer dhe këtë fakt askush nuk e ndryshonte dot. Sepse efekti i kundërt i atyre 45 vite nuk mund të mos ishte aq ekstrem se sa ajo tkurrje deri ën fund e vetë popullit. Këto tre dekada kanë koinciduar edhe me dallgët e furishme të një emigracioni të paparë në historian e botës. Po kush mund ta përmbante këtë furi biblike pa cenuar lirinë e lëvizjes drejt atyre vendeve ku niveli i jetesë është shumë i lartë se sa në shkretëtirën që la pas partia komuniste në gjysmën e Europës”, tha Rama.

Megjithatë, Rama shtoi se krahasuar me vetveten, në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë më shumë progres se sa ish-vendet e tjera komuniste, krahasuar po me vetveten.

Kreu i qeverisë pranoi se pa emigracionin masiv pas daljes nga komunizmi, vendi do të ishte “një i vdekur klinik i shtrirë përtokë në mes të Europës”.

“Me kë mund të krahasoheshin shifrat e prapambetjes shqiptare me gjysmën e kësaj Europe komuniste? Ishte e tejskajshme. Krahasuar me vetveten, Shqipëria ka bërë në 30 vitet e fundit progresin më të madh se krejt vendet e tjera –ish komunist, krahasuar po me veten. Falë keqqeverisjes kronike, Shqipëria i shkaktoi vetes dëme dhe vonesa që asnjë vend tjetër ish-komunist nuk i pësoi në kurriz. Shqipëria doli vendi më i torturuar mendërisht nga komunikimi. Pa emigracionin masiv, Shqipëria do të ishte një i vdekur klinik, shtrirë përtokë në mes të Europës. Imagjinojeni vetë se sa shumë kohë humbëm duke vjedhur dritat, duke shpërdoruar ujin, duke rrumpallizuar arsimin, lënë pas dore shëndetësinë, tribalizuar administratën e kështu me radhë. Humbëm shanse të mëdha për një gjeneratë që lindi në vitet 1990 dhe u rritën në një rrëmujë. Sikur reformat që ne nisëm 7 vite më parë, të ishin nisur 27 vite më parë, patjetër që Shqipëria do të ishte më e pasur e më e zhvilluar”, shtoi kryeministri.

Në këtë konferencë Rama do të prezantojë 3 kandidatët për deputetë që do të jenë përfaqësues të emigrantëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat